AKTUALE

Sektori i Hotelierisë një nga sektorët më me perspektivë për të ardhmen

Nga Prof. As. Dr. Petrit Hasanaj

Hotelieria është industria që përfshin gjithçka që lidhet me menaxhimin e hoteleve, strehimin e mysafirëve dhe shërbimin e tyre. Kjo industri ka një rëndësi të madhe në punësim për shumë vende dhe për ekonominë në përgjithësi.

Hotelieria është sektor që ofron shumë mundësi për ekonominë vendore, nga punësimi për profesione të ndryshme, si: menaxherë hoteli, staf recepsionist, kuzhinierë, pastrues, shërbime përcjellëse, etj.

Kjo industri përkon me nevojën e mysafirëve për strehim dhe shërbime, siç janë akomodimi, ushqimi dhe guidat e ndryshme arsimore, turistike, kulturore, etj.

Ky sektor, viteve të fundit po dëshmon qëndrueshmëri zhvillimi dhe ka përjetuar investime me interes për ekonominë, duke e sjellë në nivel të cilin Kosova kurrë nuk e kishte, me kontribut edhe në buxhetin e shtetit, edhe kontribut në GDP-në vendore.

Ky zhvillim i turizmit pasqyrohet me ngritjen e vazhdueshme të lakores së të dhënave hoteliere nga viti në vit. Këtë e thonë edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat na tregojnë më shumë rreth gjendjes së këtij sektori në vendin tonë.

Në vitin 2022, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) ishte 460 467, prej tyre 35,37%, ishin vendorë dhe 64,63% ishin të jashtëm. Numri i net-qëndrimeve ishte 818 832, prej tyre 33,47% nga vendorët dhe 66,53% nga të huajt.

Në vitin 2022, numri i vizitorëve vendorë është rritur për 14,0% në raport me vitin 2021, net-qëndrimet e vizitorëve vendorë janë rritur për 23,0%. Ka rritje të vizitorëve të jashtëm për rreth 40,0%, kurse net-qëndrimet e vizitorëve të jashtëm janë rritur për 52,0% në raport me vitin 2021.

Në TM4 2022, në aktivitetet e akomodimit dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim janë regjistruar 232 ndërmarrje (8.8%) e të gjitha ndërmarrjeve të regjistruara gjatë këtij tremujori.

Në muajin prill 2023, indeksi i qarkullimit të shërbimeve të Hotelierisë kishte rritje 31.60% sipas të dhënave nga ASK. Po ashtu, në muajin prill 2023, indeksi i numrit të të punësuarve kishte rritje në sektorin e Hotelerisë prej 13.89%, sipas të dhënave të ASK-së.

Në bazë të të dhënave të mësipërme, industria e mikpritjes dhe Turizmit po evoluon vazhdimisht, që do të thotë se me kualifikimet, përvojën dhe aftësitë e duhura, mundësitë për t’u ngjitur në shkallët e karrierës dhe perfeksionimi i saj janë të mundshme.

Arsyeja pse të rinjtë duhet të marrin në konsideratë mundësinë për të vazhduar studimet në Menaxhim të Hotelerisë dhe Turizmit: Siguria dhe qëndrueshmëria e rritjes dhe zhvillimit të kësaj industrie, duke atraktuar investime të mëdha e cilësore, duke e bërë Kosovën destinacion turistik me qëllime pushimi, rekreacioni dhe eksplorimi.

Bëheni ambasador të vlerave me të cilat tërhiqni turistët nga mbarë bota duke bërë prezantimin e Republikës së Kosovës si vend të dëshirueshëm me bukuri të shumta natyrore, me universitete të njohura ndërkombtarisht dhe ekonomi konkurruese në rajon, duke ofruar zbavitje, njohuri dhe hulumtim për fusha të ndryshme të turizmit natyror-rural-ekoturizmi (rafting lumor, paragliding, mountain biking, fishing, trekking, ngjitje, hiking, shëtitje me kuaj, udhëtime studimore etj.), me synime edhe për zhvillimin e turizmit kulturor, shëndetësor, etj.

Profesionistët e kësaj fushe, bëhen pjesë e një industrie dinamike, me perfeksionim dhe zhvillim të vazhdueshëm, konkurrues me rajon e më gjerë, profitabil dhe me siguri për vende të reja të punës dhe vetëpunësimin.

Hotelieria, sipas treguesve statistikorë, ka zhvillim të qëndrueshëm, si asnjë herë më parë, me perspektivë për investime dhe vende të reja të punës. Sigurisht, duhet ta marrim tepër seriozisht fotografin e shquar Martin Parr i cili ka thënë se “Turizmi është industria më e madhe në botë”.

Related posts

Sot është dita e parë e pranverës: A e dini pse ka vite që vjen më herët?

Gjyla Halili

Hyrja e Suedisë në NATO kompleton aleancën ushtarake

Gjyla Halili

Sellca pret Kryeministrin e parë shqiptarë

Gjyla Halili

Leave a Comment