Unë jam Trajçe dhe jam një bixhozçi kompulsiv [bixhozçi i obsesionuar]. Nuk besoj se do të flisja për varësinë time nëse dikush do të ma kërkonte ta bëja këtë para 15 muajve”.
Kështu nis rrëfimin e tij 35-vjeçari nga Shkupi, i cili ka krijuar varësi nga bixhozi pasi ka luajtur për 12 vjet.
Ai tregon se ka shkuar nëpër bastore që kur ishte fëmijë, por luante me shuma të vogla. Thotë se kurrë nuk e kishte menduar se një ditë do të bëhej bixhozçi. Me kalimin e kohës, thotë se bastet janë rritur, por edhe borxhet.
Mendoja se e fshihja mirë varësinë time nga familja, miqtë, vendi i punës. Gjithmonë përpiqesha të isha pozitiv. Por, unë isha i sëmurë. Mendoja përherë si të vija te paratë”, thotë Trajçe. Për rreth 15 herë u përpoq të dilte nga “rrethi magjik”.
Zgjidhje kërkoi edhe jashtë vendit. Ndryshimi ndodhi kur ai pranoi me të vërtetë se është i bixhozçi dhe ka probleme. Thirrja e fundit për ndihmë, thotë ai, përfundimisht ishte e suksesshme.
“Gjatë periudhës sime të palavdishme si bixhozçi, shumë herë kam kërkuar ndihmë, jam kuruar, premtoja se do të ndryshoja, por pa sukses. I thyer fizikisht, emocionalisht, dhe nga ana sociale, vendosa që patjetër të ndryshoj. Nuk e dija si, por isha i vendosur. Përsëri kërkova ndihmë, fillova të punoj seriozisht me veten dhe ndryshova! Tani, 470 ditë jam jashtë rrethit magjik të kërkimit të një ‘jete më të mirë’ përmes makinave automatike”, përfundon Trajçe.
Fakti që i numëron ditët si të ishte në ushtri, tregon se çdo ditë e re pa “bixhoz” ka shumë kuptim për të, thotë Pavlina Vaskova, neuropsikiatre, në një bisedë për Radio Evropa e Lirë.
“Nuk ka vend ku nuk është trajtuar, por ja, për herë të parë, tashmë gjithçka ka përfunduar”, thotë ajo. Vaskova është pjesë e një ekipi profesional në këshillimoren humanitare për problemet me varësinë në “Dare Xhambaz” në Shkup, e cila çdo ditë ofron ndihmë individuale për të varurit dhe një herë në javë në grupe.
Shoqata e Klubeve të njerëzve të shëruar ekziston prej 50 vjetësh. Vaskova me shaka thotë se edhe ajo vetë është bërë “e varur” nga shkuarja atje.
“Unë jam pjesë e kësaj për 42 vjet. Kam zhvilluar një varësi, sepse tani jam në pension, por ende shkoj të enjteve, sipas shprehisë”, thotë doktoresha.
Çdo të enjte mblidhen të varurit në grupe që janë të hapura, ndaj numri i atyre që kanë vendosur të heqin dorë nga lojërat e fatit apo përdorimi i alkoolit, ndryshon. Porse ajo thotë se numri i të varurve nga këto vese po rritet.
“Shumë alarmante! Nga ata që vijnë vetëm te ne, ja sot, për shembull nëse kemi 10 njerëz, gjysma e tyre janë të varur nga bixhozi, një pjesë e tyre edhe nga alkooli dhe bixhozi. Kjo tregon se numri tashmë është shumë i madh, dhe shohim bastore në çdo cep, shumë kredi të shpejta. Ka një rritje masive në 5-6 vitet e fundit”, thotë Vaskova.
Përveç me personat që janë të varur, ajo takohet edhe me anëtarët e familjeve të tyre, por edhe me të atillë të cilët me dekada nuk janë më të varur nga këto vese. Edhe ata u ndihmojnë më të rinjve, kurse të rinj ka gjithnjë e më shumë, shpreh shqetësimin Vaskova, neuropsikiatre. A njeh persona nën 25 vjeç që janë të varur nga lojërat e fatit në kazino, klube automate, online ose në baste sportive?
Në këtë hulumtim në Maqedoninë e Veriut, 84% e të anketuarve thanë se njohin dikë nën 25 vjeç që është i varur nga lojërat e fatit. Prej tyre, 39.3% thanë se njohin më shumë se 10 njerëz më të rinj se 25 vjeç që janë të varur nga lojërat e fatit.
“Viteve të fundit po vijnë gjithnjë e më shumë [persona] të moshës rreth 18 vjeçe, ndërsa ata që vijnë vite me radhë i kanë kaluar të gjitha krizat dhe sfidat, nëpër të cilat kalojnë të rinjtë tani, dhe na ndihmojnë shumë gjatë trajtimit”, shton Vaskova.
Për terapi drejt Shkupit udhëtojnë edhe nga vendet fqinje si nga Kosova, Serbia dhe Bullgaria, pasi preferojnë që trajtimi për varësinë të jetë i fshehtë dhe anonim.
Si është gjendja në rajon?
Shoqata HOPS – Opsione për një jetë të shëndetshme, ka analizuar shprehitë për baste dhe lojëra fati të të rinjve në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë dhe në Serbi, përmes anketave online, fokus grupe dhe ligje përkatëse.
Në përfundimet e tyre thuhet se Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë rregullore ligjore të ngjashme për lojërat e fatit, përkatësisht lokalet e bastit.
Në Kosovë organizimi i lojërave të fatit është i ndaluar dhe vetëm Lotaria Kombëtare e Kosovës ka leje pune, por me vendim qeveritar janë ndaluar të gjitha format e lojërave të fatit si: kazinotë, bastet, faqet e internetit për baste, lotaritë etj. Analiza tregoi se, përkundër kësaj rregullative ligjore në Kosovë, madje 96% e të anketuarve kanë luajtur lojëra fati, që është shumë më tepër se në Maqedoninë e Veriut ku përqindja është 71%, ndërsa në Serbi është 54%.
Ligji në Serbi, thotë HOPS, parasheh që organizatorët e lojërave të fatit t’i trajnojnë punonjësit e tyre para se të fillojnë punën për të parandaluar varësinë nga lojërat e fatit te lojtarët. Këto dispozita ligjore mungojnë në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë.
Nëse merren parasysh vetëm të anketuarit që luajnë lojëra fati, përqindja e të rinjve të varur është rritur dhe kjo është më e lartë në Serbi, ku 33% e të rinjve që luajnë lojëra të fatit janë deklaruar si të varur. Në Maqedoninë e Veriut, përqindja është 25%, ndërsa në Kosovë është 11%.
Në të tria vendet nuk ekziston një zbatim strikt i rregullores ekzistuese ligjore dhe të anketuarit shpesh janë dëshmitarë se edhe të miturit luajnë lojëra të fatit, përfundon HOPS.
Nga puna shumëvjeçare, doktoresha Vaskova tregon se ka të varur nga bixhozi që vijnë nga familje të pasura. Të varurit, në përgjithësi, më së shumti luajnë bixhoz online dhe në makinat e fatit, ndërsa të rinjtë zakonisht online.
“Ka shumë nga familjet e njohura, të pasura. Ata humbasin edhe shtëpitë edhe apartamentet dhe dinë të mbeten edhe ‘në rrugë’. Vënë apartamentin në hipotekë, nuk e paguajnë kredinë, kurse për të paguar hipotekën do të marrin kredi të shpejta, e edhe aty humbin. Humbin deri në 30-35 mijë euro”, dëshmon Vaskova.
Një fakt tjetër është se ka më pak gra të varura sesa burra, dhe se me to punohet kryesisht në mënyrë individuale, sepse siç thotë ajo, gratë janë pak më të turpshme dhe nuk preferojnë punën në grup.
Ka edhe inxhinierë IT-je që mendojnë se duke e ditur matematikën, mund të parashikojnë dhe se patjetër do të fitojnë, mirëpo të shpeshtën humbin, sigurisht, thotë Vaskova.
“Vështirë ndryshohen shprehitë, por me dëshirë dhe këmbëngulje të madhe, suksesi është vetëm çështje kohe. Ja, unë tani jetoj si njeri i shëndoshë. Mburrem me veten”, porosit Trajçe, që ka braktisur bixhozin.
Që të parandalohet, në vend se të kurohet, më mirë është të angazhohen, veçanërisht të rinjtë, por edhe të rriturit, me ndonjë aktivitet pozitiv në kohën e lirë, porosit Vaskova.
“Kjo nuk do të thotë të mos kemi kohë të lirë, por të praktikohet qoftë noti, qoftë vizatimi… Në vend që të jenë në ambiente ku mund të bëjnë diçka të dobishme, të rinjtë janë në kafene menjëherë pas shkollës. Ata duan të jenë aktivë, por kanë nevojë për aktivitete konstruktive”, vlerëson ajo.
Një nga opsionet, sipas saj, do të ishte angazhimi kreativ i të rinjve gjatë fundjavave.
“Shkollat për fundjavë, sa di unë, të gjitha janë të mbyllura. Pse të mos përdoren për të rinjtë që janë të interesuar, sipas aftësive të tyre, për t’i përdorur falas për angazhime në ndonjë seksion për shembull?”, sugjeron ajo.
Çfarë mund të bëjnë institucionet?
Në pjesën se çfarë duhet të rregullojnë institucionet, ndër rekomandimet e Shoqatës HOPS thuhet që në ligjin ekzistues për lojërat e fatit të parashikohen detyrime për të gjithë organizatorët e lojërave të fatit për t’i informuar lojtarët për rrezikun e zhvillimit të varësisë, si dhe për vendet ku mund të kërkojnë ndihmë.
Gjithashtu, rekomandojnë që organizatorët të detyrohen të paguajnë taksë për financimin e programeve për parandalimin dhe trajtimin e varësisë nga lojërat e fatit.
Një tjetër rekomandim ishte që Ministria e Shëndetësisë të hapë programe për trajtimin e varësisë nga bixhozi, por edhe të vendosen sanksione më të rrepta për mosrespektimin e dispozitave ligjore, veçanërisht për ato që ndalojnë pjesëmarrjen e të miturve në lojërat e fatit.
Një tjetër rekomandim i organizatës joqeveritare është edhe ndalimi i çdo forme të reklamimit të lojërave të fatit në mediat e shtypura dhe ato elektronike (sipas shembullit të ndalesës së reklamimit të cigareve).
Deri në fund të vitit do të miratohet një Ligj i ri për lojërat e fatit, i cili do të jetë shumë radikal, i rreptë dhe do të korrigjojë gabimet tuaja, theksoi zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, duke iu përgjigjur deputetes Rina Ajdari nga BDI-ja, e cila theksoi se nuk ka asgjë nga mbylljet e kazinove të paralajmëruara nga ky pushtet.
Mexhiti theksoi gjithashtu se edhe zogjtë e dinë kush ka bërë që në çdo lagje ose mëhallë të ketë kazino, dhe se Qeveria aktuale, siç tha ai, i ka shpallur luftë këtij biznesi.
Si hap i parë në ndalimin e bastvënies online, deputetët e partive në pushtet VLEN, VMRO-DPMNE dhe ZNAM në korrik në Kuvend paraqitën kërkesë për interpretim autentik të Nenit 7, paragrafi 3 të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, për të marrë një interpretim të saktë nëse vendimi i mëparshëm i Qeverisë dhe i drejtuesve të Lotarisë Shtetërore për lojërat e fatit online ka bazë ligjore.
Është formuar një grup pune dhe VLEN-i pret që brenda një afati të arsyeshëm Qeveria t’i propozojë Kuvendit një ligj të ri për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese.
Qeveria e mëparshme e udhëhequr nga LSDM-ja dhe BDI-ja kërkonte me ligj të hiqen të gjitha objektet ku organizohen lojërat e fatit, të vendosura në një rreze prej 500 metrash larg shkollave ose çerdheve.
Zgjidhja e tyre ligjore nuk kaloi për miratim në Kuvend.
Qeveria e re e udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja dhe VLEN-i, përmes interpretimit autentik të ligjit ekzistues, ndaloi vetëm bastvënien online.
Ajo njoftoi se me një zgjidhje të re ligjore do të bëhen përpjekje të përgjysmohet numri i kazinove në Maqedoninë e Veriut./Zhurnal.mk