KOSOVË

Veteranët protestë në Prishtinë/ Kundër Qeverisë dhe Ligjit për pagën minimale

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) po proteston në Prishtinë kundër Ligjit për pagën minimale.

Ndërkohë në rrjetet sociale, është bërë thirrje edhe për protestë kundër Qeverisë së Kosovës.

Ata kanë kërkuar edhe dorëheqja e deputetes Mimoza Kusari-Lila.

Në disa përgjime të publikuara disa ditë më parë, Kusari – Lila, kryetare e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), është dëgjuar të ketë pohuar se ka komunikuar me nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiç, vitin e kaluar.

Nga LVV-ja, para dhe pas ardhjes në pushtet, Radoiçiç, i cili gjendet në listën e zezë amerikane, është cilësuar si kriminel që punon kundër shtetit të Kosovës.

Protesta është thirrur dy ditë pas miratimit të Ligjit për pagën minimale, në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 13 korrik.

Ligji parashikon rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

Veteranët e UÇK-së janë të pakënaqur për mospërfshirjen e tyre në këto ndryshime. Deri më 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, përkatësisht 170 euro.

Ata patën protestuar edhe në qershor të vitit të kaluar, duke kërkuar që ndryshimet ligjore të mos miratohen derisa të mos amendamentohet dokumenti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se mbështet dhënien e sa më shumë përfitimeve për veteranët e luftës së fundit në Kosovë, por që përfitimet, sipas tij, nuk janë pagë.

“Paga është për punë, ndërkaq përfitimet janë mirënjohje e shoqërisë, e cila i jepet veteranit të luftës për luftën çlirimtare, fitimtare, e cila është në burim të shtetësisë, pavarësisë e lirisë sonë”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se do të angazhohet në ligj të ri për veteranët, por që fillimisht faktet duhet të jenë të sakta.

“Unë besoj që në luftën çlirimtare kanë marrë pjesë edhe më shumë se 60 mijë pjesëmarrës, mirëpo ka një lloj trefishimi të numrit të veteranëve. Prandaj është e domosdoshme që gjërat t’i quajmë me emra adekuatë. Veteranët, sipas komandantëve të UÇK-së janë diku rreth 20 mijë, ndërkaq nëse i bashkëngjisim edhe pjesëmarrësit, atëherë do të bëhen edhe më shumë se 60 mijë. Andaj unë jam që të kemi falënderimin e mirënjohjen si shoqëri për të gjithë. Mirëpo nuk mund ta deformojmë luftën çlirimtare të UÇK-së”, ka thënë kreu i qeverisë.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu”, kanë vlerësuar se pa përfunduar procesi gjyqësor lidhur në rastin “Veteranët”, pastrimi i listës së veteranëve nuk mund të bëhet.

Gjykata e Apelit, më 26 prill të vitit 2022 ktheu në rigjykim rastin e njohur si “Veteranët”.

Në akuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ishte konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, është ngritur dyshimi se është dhënë statusi i veteranit në mënyrë të paligjshme për 19.500 persona.

Sipas të dhënave zyrtare nga Qeveria e Kosovës, statusin e veteranit luftëtar e kanë 53.188 persona, kurse, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37.006 janë përfitues nga skema për veteranët e luftës.

Related posts

Kosova dhe Shqipëria në mesin e vendeve problematike

admin

Shkon në 38 numri i të vdekurëve në Greqi

admin

Lladrovci përkujton tre dëshmorët e vitit 1990 të cilët para armëve të armikut nuk u zmbrapsen

Gjyla Halili

Leave a Comment