Turma të ngjeshura vendasish dhe turistësh kishin mbushur sot sheshin para bashkisë së Pamplona në Spanjë, duke valëvitur copat e kuqe për hapjen e festivalit të demave të San Fermin.
Teksa turmat ngjesheshin në shesh, mes dashamirësve, organizatorëve dhe policëve që tentonin të mbanin rendin, entuziastja vendase Mila e quante festivalin “festa më e bukur në botë”.
“Ne jemi të gjithë të barabartë këtu në San Fermin, mund të duket si diçka e çmendur por nuk mund ta shpjegoj, duhet bërë eksperienca”, tha e reja.
Roy Van der Loos, turist nga Holanda tha për rrjetin AFP se pëlqen këngët e brohorimet e tufave të ngjeshura të njerëzve.
“Është shumë bukur, sidomos kur të gjithë kërcënonin e këndonin dhe të tjerë hidhnin Sangira mes turmës”, tha ai duke iu referuar pijes tradicionale alkoolike të eventit.
Amaia, turiste nga Buñuel tha se pëlqente atmosferën e vllazërisë së eventit.
“Njerëzit e përjetojnë në mënyra të ndryshme, por ngjitur me ty mund të kesh njerëz nga Korea, nga Zelanda, nga Toledo, është diçka unike, një sens i pabesueshëm uniteti mes njerëzve”.
Festivali i San Fermín është një festë një-javore me rrënjë historike që mbahet çdo vit në qytetin e Pamplona, Navarra, në Spanjën veriore.
Festimet fillojnë në mesditën e 6 korrikut dhe vazhdojnë deri në mesnatën e 14 korrikut. Festimet nisin me fishekzjarrë dhe në fund këndohet kënga popullore Pobre de mí.
Përveç vrapimit të demave festivali përfshin shumë evente tradicionale e folklorike. Vendasit e quajnë atë Sanfermines pasi mbahet në nder të shenjtorit Saint Fermin, dikur padron i Navarre.
Top Channel