Sipas tij, paralajmërimet për sanksione nga Bashkimi Evropian janë si pasojë e një qeverie aventuriere, “e cila ka zgjedhur konfrontimin me aleatë, pas dështimit në çdo sektor përmes qeverisjes jokompetente”.
Tutje, Krasniqi ka thënë se me veprimet e tij, Kurti po e vendosë Kosovën në hartën e vendeve të sanksionuara, ku nga Evropa bëjnë pjesë vetëm Rusia, Bjellorusia, Moldavia e Republika Srpska.
“A është e mundur që të gjithë ta kenë keq e vetëm Albin Kurti ta ketë mirë? Natyrisht që nuk është e mundur dhe i gabuar këtu është Kryeministri Kurti. Të gjithë e dimë se nëpër çfarë sfida ka kaluar vendi ynë që nga çlirimi, për të arritur shpalljen e pavarësisë e deri tek ndërtimi i institucioneve dhe zhvillimi i vendit”.
“Këtë rrugëtim të suksesshëm e kemi bërë vetëm falë koordinimit të ngushtë dhe mbështetjes nga aleatët tanë strategjik, në krye të të cilëve janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa, tash e mbi dy vjet të qeverisjes nga Albin Kurti, përveç stagnimit e degradimit në çdo sferë të jetës, Kosova po përjeton edhe sanksione nga miqtë e saj”, ka shkruar i pari i PDK-së në Facebook.
Ai ka thënë se në këtë periudhë sfiduese për vendin, lidershipi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë vazhdimisht në terren duke bashkëbiseduar me anëtarësinë tonë dhe me qytetarë anekënd vendit, të cilët janë të shqetësuar me gjendjen e rëndë në Kosovë.
“Pas këtyre konsultave e diskutimeve të shumta, të hënën kam ftuar mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, për të diskutuar për gjendjen e rëndë në vend dhe për rrugën që është para nesh. Mbi të gjitha, për vendimet dhe veprimet që i kërkon kjo periudhë sfiduese. Situata nuk është normale dhe nuk mund ta simulojmë normalitetin. Qytetarët kanë nevojë për qartësi në këtë kohë konfuzioni. Dhe një gjë është më se e qartë: Kosova nuk mund të mbetet edhe më tutje peng e tekeve të Albin Kurtit”, ka përfunduar Krasniqi. /Telegrafi/