AKTUALE

Drejtori Halili: 3 milionë denarë ndahen për hulumtuesit e rinj për realizimin e projekteve të gjelbërta

Gjithsej gjashtëmbëdhjetë shkolla fillore dhe të mesme nga i gjithë vendi do të zbatojnë projekte të gjelbra për ruajtjen dhe përmirësimin e mjedisit dhe biodiversitetit. Projektet u shpërblyen në kuadër të thirrjes publike “Sfida për hulumtuesit e rinj 5 – projekte të gjelbra” të realizuar nga Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.

Në kuadër të sfidës janë miratuar për financim 10 projekte të shkollave fillore: SHFK “Sabedin Bajrami” nga fshati Kamjan, SHFK “Aleksandar Urdarevski” nga Çuçer Sandevë, SHFK “Strasho Pinxhur” nga Karbinci, SHFK “Braqa Miladinovci” nga Struga, SHFK “Kiro Gligorov” nga Shkupi me dy projekte, SHFK “Vanço Prke” nga Dellçeva, SHFK “Çajla” nga Gostivari, SHFK “11 Oktomvri” nga Shkupi, dhe SHFK “Dame Gruev” nga Strumica.

Në kategorinë e shkollave të mesme janë miratuar për financim gjashtë projekte: Gjimnazi “Vedra” nga Shkupi, Shkolla e Mesme “Kiro Spanxhov Bërko” nga Kavadari, SHMSH për Rehabilitim dhe Edukim “Shën Naum Ohridski” nga Shkupi, SHMQSH “Rade Jovçevski-Korçagin” nga Shkupi, Shkolla e mesme private “YAHJA KEMAL” nga Shkupi dhe SHMQSH Saraj nga Shkupi.

“Më gëzon veçanërisht fakti që të rinjtë kanë treguar se duan sfidë, duan të hulumtojnë dhe të krijojnë ndryshime pozitive për shoqërinë. Fondi si institucion është gjithmonë në krah të ideve kreative dhe inovatore dhe ne jemi të përkushtuar që të krijojmë mundësi që të rinjtë të tregojnë kreativitetin e tyre, të menduarit kritik dhe të fitojnë aftësi që krijojnë vlerë. Me shkollat ​​e shpërblyera sot, deri më tani përmes Sfidës për Hulumtuesit e Rinj kemi mbështetur 139 shkolla nga i gjithë vendi, ku përfshihen mbi 900 nxënës dhe mentorë. Fondi do të vazhdojë edhe në të ardhmen të mbështesë programe dhe projekte që synojnë të mbështesin mendjet e reja dhe kreative, të cilat jam i sigurt se kanë potencial të madh dhe do të krijojnë një të ardhme më të mirë”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.

Gjatë përzgjedhjes së projekteve, prioritet i është dhënë projekteve me karakter ndërdisiplinor, të cilat parashikojnë një qasje gjithëpërfshirëse në formimin e ekipeve, pra kanë përfaqësim të barabartë gjinor, përfshijnë fëmijë të etnive të ndryshme, fëmijë me nevoja të veçanta, fëmijë të moshave të ndryshme  etj., dhe janë dorëzuar nga shkolla të zonave rurale.

Gjatë 12 muajve të ardhshëm, ekipet e projektit do të zhvillojnë projektet hulumtuese në fushat e shkencave natyrore dhe teknike. Procesi i hulumtimit duhet të bazohet në “metodën shkencore”, domethënë duhet të përfshijë formulimin, testimin dhe konfirmimin/modifikimin e një hipoteze përmes eksperimentit dhe vëzhgimit.

Buxheti i përgjithshëm për këtë sfidë është 3 milionë denarë, ndërsa buxheti maksimal për propozim projekt individual duhet të jetë deri në 200.000 denarë. Për mësimdhënësit që do t’i udhëheqin ekipet e nxënësve do të sigurohet shpërblim në vlerë prej 30.000 denarë, të dedikuara për blerje të pajisjeve digjitale të aplikueshme në procesin mësimor.

Gjithsej 57 propozim projekte u dorëzuan në sfidë, dhe lista e plotë e shkollave të shpërblyera është në dispozicion në:

https://fitr.mk/wp-content/uploads/2023/05/Dobitni-proekti-Predizvik-za-mladi-istrazuvaci-Osnovni.pdf

https://fitr.mk/wp-content/uploads/2023/05/Dobitni-proekti-Predizvik-za-mladi-istrazuvaci-SREDNI.pdf

Related posts

Osmani kërkon reagim të unifikuar nga ndërkombëtarët për lirimin e policëve të rrëmbyer

admin

Tre dekada në shërbim të Shqiptarëve, Shefik Bajrami dëshmia më e mirë se si kanë përparuar shqiptarët në sistemet e brendshme të shtetit

Gjyla Halili

DOKUMENT/ Skandalet skanë të ndalur, Kasami e “qeras” edhe me një tender kompaninë “On Media”

Gjyla Halili

Leave a Comment