“Se një kërcënim direkt i një funksionari për privim nga jeta të një funksionari tjetër trajtohet vetëm me padi civile, tregon që sistemi gjyqësor vazhdon të mbetet i kapur nga pushteti”, tha Visar Ganiu. Të premten, kërcënimin me jetë kreu i Çairit e denoncoi në dy stacione policore sepse dyshonte që në fillim se intervenimet për ta heshtur këtë raste kanë arritur para tij në “Bit Pazar dhe “Kisella Vodë”. Ai thotë se vetë inspektorët dhe prokurori kishin marr urdhër sesi të vepronin paraprakisht me rastin.
“Arsyen përse e kanë proceduar ashtu është e dukshme, që kur u paraqitëm në stacionet policore atë natë kishin informata, kishin urdhra se si të veprojnë dhe aty ma cekën se kjo procedurë do të ndiqet me padi private. Kjo tregon një fakt që gjyqësori është i kapur, drejtësia tek ne nuk funksionon dhe kjo tregon se gjithçka kontrollohet nga pushteti qendror,” deklaroi Visar Ganiu, Kryetar i Komunës së Çairit.
Kur një person zyrtar i zgjedhur dhe i emëruar merr kërcënim me jetë, atëherë duhet që organet e hetuesisë ta procedojnë rastin dhe jo ta lënë vetëm me padi private, thonë juristët që i kontaktuam. Por, Prokuroria vetëm se rikonfirmoi qëndrimin e Ministrisë së Brendshme të një dite më parë se ky rast mund të ndiqet vetëm pas padisë private.
“Prokuroria Publike vepron vetëm në përputhje me kompetencat ligjore dhe sipas dispozitave të Kodit penal dhe Ligjit për procedurën penale. Në rastin konkret, sipas fakteve dhe rrethanave të shqyrtuara deri në këtë moment, bëhet fjalë eventualisht për vepër penale që ndiqet me padi private nga i dëmtuari. Nëse gjatë kontrolleve nga Ministria e Brendshme sigurohen prova të tjera dhe nëse bëhet kallëzim për ndonjë vepër tjetër, do të procedohet në përputhje me rrethanat,” thanë nga Prokuroria Publike.
Ganiu tha se të hënën do të konsultohet me avokatët për të ngritur padi në Gjykatën Civile, por kërkon nga Prokuroria që ata ta hetojnë rastin dhe të parandalojnë përshkallëzim të situatës.
“Zyrtarisht nga organet kompetente asnjë informatë nuk kam. Sot nga mediat u informova që prokurori kujdestar atë natë ka vendosur që kjo duhet të vazhdohet me një padi private dhe jo të procedohet në mënyrë zyrtare edhe pse unë jam zyrtar, jam funksionar,” u shpreh Visar Ganiu, Kryetar i Komunës së Çairit, tha Visar Ganiu, Kryetar i Komunës së Çairit.
Kujtojmë që ky kërcënim me jetë dhe fyerje përmes telefonit për Viasar Ganiun dhe Izet Mexhitin, thuhet se erdhi nga bashkë partiaku i tyre i BDI-së, Muharrem Hasani, i cili po ashtu është funksionar publik, si zëvendësdrejtor i Doganave. Sherri filloi, kur Hasani i ka marr si personale kritikat e Ganiut, që ky i fundit i deklaroi për parregullsitë statutare në përgjithësi për kandidaturat e Degëve të partisë së BDI-së, të cilat pritet të mbahen me 2 korrik. /Alsat.mk