Në Shqipëri, çmimet ishin sa 61.3% e mesatares së Bashkimit Europian, sipas të dhënave të raportuara nga INSTAT. Ndërsa në raport me shtetet e tjera të rajonit, Shqipëria është e dyta relativisht më e shtrenjtë, pas Serbisë, që ka një tregues prej 62.8%.Në Malin e Zi, çmimet janë sa 60.4% e mesatares së Bashkimit Europian, në Bosnjë-Hercegovinë 57.6, ndërsa më e lira në rajon është Maqedonia e Veriut, me 51%.
Më të shtrenjta se mesatarja europiane në Shqipëri janë bulmeti (111.7%), vaji (106.7), Pijet joalkolike (108%) elektroshtëpiake (122%), sipas Eurostat.
Ndonëse kanë pagat më të ulëta mesatare në rajon, rreth 30-40% më pak se vendet e tjera (me përjashtim të Kosovës) familjet dhe individët shqiptarë përballen me çmime më të larta në blerjet e tyre të përditshme.
Shqipëria dhe Kosova kishin pagën më të ulët mesatare në rajon në vitin 2022, me rreth 520 euro secila (bruto). Serbia është shteti që po “fiton” në garën rajonale të pagave, që për vitin 2022 ishte mesatarisht 880 euro, ndërsa në dhjetor 2022, kërceu afër nivelit prej 1000 eurosh bruto (983 euro), sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave i Serbisë. Maqedonia e Veriut e kishte pagën mesatare në 2022 në 771 euro, Mali i ZI 883 euro, Bosnja 883 euro.
Çmimet në Europë
Në vitin 2022, nivelet e çmimeve për shpenzimet e konsumit përfundimtar të familjeve, ndryshonin gjerësisht në të gjithë BE-në.
Nivelet më të larta të çmimeve u regjistruan në Irlandë (146% e mesatares së BE-së), Danimarkë (145%) dhe Luksemburg (137%). Ndërkohë, nivelet më të ulëta janë shënuar në Rumani (58%), Bullgari (59%) dhe Poloni (62%).
Hendeku më i madh i çmimeve për alkoolin dhe duhanin
Në vitin 2022, niveli i çmimeve për alkoolin dhe duhanin ishte rreth 3.3 herë më i lartë në vendin më të shtrenjtë, sesa në atë më pak të shtrenjtë. Nivelet më të ulëta të çmimeve për alkoolin dhe duhanin, u regjistruan në Bullgari (66% e mesatares së BE-së), Poloni (73%) dhe Hungari (78%).
Ndërkohë, nivelet më të larta janë regjistruar në Irlandë (216%), Finlandë (174%) dhe Danimarkë (138%). Ky ndryshim i madh i çmimeve është kryesisht, për shkak të dallimeve në taksat e këtyre produkteve.
Restorantet dhe hotelet, renditen të dytat për sa i përket diferencës së nivelit të çmimeve, me nivelet më të ulëta të çmimeve të regjistruara në Bullgari (51% e mesatares së BE), Rumani (61%) dhe Hungari (62%) dhe më të lartat në Danimarkë (156%), Finlandë (132%) dhe Luksemburg (131%).
Çmimet e veshjeve ishin më të lira në Bullgari (80% e mesatares së BE-së), Hungari (83%) dhe Rumani (84%), ndërsa më të shtrenjta në Danimarkë (134%), Suedi (117%) dhe Çeki (115%).
Pabarazitë u regjistruan gjithashtu për ushqimin dhe pijet joalkoolike, që variojnë nga 72% e mesatares së BE-së në Rumani në 121% në Danimarkë, pajisjet e transportit personal, që variojnë nga 87% në Poloni në 132% në Danimarkë, dhe pajisjet elektronike të konsumatorëve, nga 92% në Itali në 115% në Francë)./monitor/