Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka takuar sot, dy kryetarët e komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit si dhe vëllanë e kryetarit të Leposaviqit, Driton Hetemin.
Lladrovci me këtë rast deklaroi se “i falënderova dy kryetarët, Izmirin, Ilirin dhe vëllain e Lulëzimit, Dritonin, për kulturën e tyre politike, besimin e plotë se kjo situatë do të zgjidhet pa pasoja për qytetarët, me besim se aleatët tanë, prapë do të vazhdojnë të mbesin pranë nesh, për fuqizimin e shtetit e shtetësisë tonë”.
Postimi i plotë:
Në drekë, me Izmirin, Ilirin dhe Dritonin, kryetarin e Zubin Potokut me kryetarin e Zveçanit, dhe vëllain e Lulëzimit, kryetarit të Leposaviqit, mikut tonë të familjes.
Ndjehem i prekur nga situata që po kalon veriu i vendit tonë, me kryetarët që i dalin zot përgjegjësive me ndërgjegje dhe urtësi.
E riktheksova se është e dhimbshme gjendja aktuale e lidhur me procesin zgjedhor, njëherësh, vlerësova lartë, punën e katër kryetarëve. Po ashtu, vlerësova se situatat e ndjeshme politike, kur kanë fërkim me ligjin, bëhen sfiduese.
Politika duhet t’i jap kahje kësaj gjendjeje. Atdhetarizmi i asnjërit kryetar, nuk mund të vihet në dyshim nga askush, aq më pak, dikush t’ju japë ligjërata për guximin e tyre kur jetën dhe veprimtarinë e vet e zhvillojnë në vendlindjet e veta, në veriun e Republikës së Kosovës.
Po e theksoj si shembull Familjen Hetemi nga Bistrica e Shalës, familjes shaljane e cila rriti trimëreshën, heroinën e kombit, Fatime Hetemin, e cila bashkë me Fehën dhe Xhevën ranë në fushën e nderit, në Gllanasellë.
I falënderova dy kryetarët, Izmirin, Ilirin dhe vëllain e Lulëzimit, Dritonin, për kulturën e tyre politike, besimin e plotë se kjo situatë do të zgjidhet pa pasoja për qytetarët, me besim se aleatët tanë, prapë do të vazhdojnë të mbesin pranë nesh, për fuqizimin e shtetit e shtetësisë tonë.