Vedat Muriqi ishte vendimtar mbrëmë në fitoren e Mallorcas ndaj Valencias 1:0 duke e shënuar golin e tre pikëve.
Sulmuesi ndihet i lumtur me kontributin e dhënë, jo vetëm në lojën e mbrëmshme, por edhe në përgjithësi në këtë sezon.
Sidoqoftë, “Pirati” dëshiron të shënojë më shumë gola që i sjellin pikë klubit ishullor spanjoll.
“Jam mjaft i lumtur sepse tashmë kemi shpëtuar pa rënë nga liga.
Fituam përsëri dhe tashmë i kam shënuar 14 gola.
Por, dua të shënoj më shumë gola që i japin pikë Mallorcas.
Nuk ma ndien nëse nuk shënoj gol nëse marrim pikë”, u shpreh fillimisht ish-futbollisti i Rizesporit, Fenerbahçes dhe i Lazios.
“Është e vërtetë që kur të shpëtosh pa rënë nga liga, është e vështirë të përgatitesh për lojën e ardhshme.
Por, është puna e jonë dhe duke e falënderuar trajnerin, punuam më shumë dhe shkoi mirë”, shtoi tutje ai.
I pyetur për paraqitjen e tij, sulmuesi prizrenas ishte i qartë.
“Nuk po bëj asgjë speciale, po e shfaq atë që e kam brenda meje.
Dhe, nëse njerëzit i vlerësojnë këto gjëra, mirë, jam i lumtur për këtë.
Shpresoj që të kem më shumë vite si ky”, përfundoi Muriqi.
Muriqi i ka realizuar 14 gola këtë sezon në La Liga, ndërsa i ka bërë edhe tre asistime.
/BotaSot/