Ka startuar edicioni i 80-të i Turit Çiklistik të Shqipërisë, një event ndërkombëtar ky i sportit të biçikletës që organizohet nga Federata Shqiptare e Çiklizmit.
Në total janë 5 etapa, ndërkohë që ajo e hapjes, Tiranë-Dushk-Krrabë, 146km e gjatë, u fitua nga britaniku Maksimilian Stedman, që garon me ekipin anglez të Velo Shills.
Ai dha kohën 3h20’05”, duke fituar duelin me sprint ndaj rumunit Kristian Raileanu, ndërsa i treti u klasifikua greku Periklis Ilias. Më i miri nga çiklistët shqiptarë në këtë etapë të parë ishte Mikel Demiri i kombëtares kuqezi, që u rendit në vendin e katërt.
Etapa e parë u zhvillua në një ritëm të mirë dhe kishe shumë konkurrencë, ndërkohë që kushtet atmosferike (era dhe shiu) e vështirësuan një pjesë të garës.
Malorja e Krrabës vuri në një sprovë të vështirë garuesit. Etapa e dytë është ajo Tiranë-Lushnjë-Elbasan, 157km e gjatë, një etapë kryesisht fushore, ndërkohë që pjesëmarrës janë rreth 100 garues.
Itinerari Turi 80-të Çiklistik
Etapa 1, Tiranë-Dushk-Krrabë, 146km
Fitues: Maksimilian Stedman (Angli), 3h20’05”
Etapa 2, Tiranë-Lushnjë-Elbasan, 157km
Etapa 3, Elbasan-Vlorë, 143km
Etapa 4, Vlorë-Mbrostar-Përmet, 185km
Etapa 5, Përmet-Fier, 123km
/BotaSot/