KOSOVË

Kondov thotë se e ka kërkuar nga Osmani shpjegim për deklaratat e kryeministrit Kovaçevski, vlerëson se ndryshimi i Kushtetutës është obligim i RMV-së

Mënyra se si Maqedonia e Veriut vazhdon ta trajtojë Bullgarinë sigurisht që nuk është rruga për integrimin e saj më të shpejtë në BE, tha ministri bullgar i Punëve të Jashtme, Ivan Kondov.

Sipas Radios Kombëtare Bullgare (BNR), pas takimit të djeshëm jozyrtar të krerëve të diplomacisë së vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kondov deklaroi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që vendi të zbatojë obligimet e marra.

“Disa kolegë ngritën çështjen e një zgjerimi më të shpejtë apo të një rruge më të shpejtë. Natyrisht, nga ana jonë theksova se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të zbatohen të gjitha obligimet, përfshirë edhe ndryshimin e Kushtetutës”, tha Kondov.

Ai shtoi se përmendja e Bullgarisë në një kontekst të caktuar, siç është deklarata e kryeministrit Dimitar Kovaçevski, i cili e krahasoi qëndrimin e Sofjes ndaj vendit me atë të Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe “shkelja e të drejtave të njeriut, nuk janë mënyra e integrimit më të shpejtë të Maqedonisë së Veriut”.

Në pyetjen e një gazetari nëse ky qëndrim bullgar u “kuptua” nga ministrat e tjerë pjesëmarrës në takim, Kondov u përgjigj se “në çdo rast, shumë vende thanë se BE-ja është një aleancë e bazuar në vlera dhe të gjitha kërkesat për integrim evropian duhet të plotësohet”.

Kondov informon edhe se ka pasur bisedë dypalëshe me shefin e diplomacisë sonë Bujar Osmani, nga i cili ka kërkuar sqarim për deklaratën e kryeministrit Kovaçevski.

“Ai u përpoq të shpjegonte se deklarata e kryeministrit de fakto lidhet me politikanë të veçantë dhe jo në parim me politikën e Bullgarisë, por unë e pyeta pse përmendet Bullgaria në atë situatë dhe jo politikani specifik të cilit i referohet”, tha Kondov.

Duke iu drejtuar debatit të përgjithshëm në Samitin e Këshillit të Evropës në Rejkjavik, të titulluar “Të bashkuar për Evropën” javën e kaluar, kryeministri Kovaçevski theksoi se diskursi i përdorur në Bullgari ndaj Maqedonisë së Veriut është shumë i ngjashëm me diskursin e përdorur nga Federata Ruse ndaj Ukrainës.

Ai shtoi se akuzat e bëra në Samit nga përfaqësuesi i Bullgarisë janë krejtësisht të pabaza dhe vijnë nga një vend që nuk respekton vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardet e Këshillit të Evropës në fushën e të drejtave të njeriut.

“Është e papranueshme akuzat e tilla  të keqpërdoren për qëllime politike, veçanërisht në këtë periudhë vendimtare për të ardhmen e Evropës. Maqedonia e Veriut njihet ndërkombëtarisht si një shoqëri funksionale moderne multietnike ku respektohen të gjitha të drejtat. Të gjitha raportet e konfirmojnë këtë”, theksoi Kovaçevski. 

Related posts

Turqia dyfishon eksportin me Kosovën

admin

Gjakovë, mbetën të vrarë dy vëllezër, Policia flet për RTV21

admin

S’do të ketë Republika Sërpska në veri të Kosovës, siguron Kurti

admin

Leave a Comment