Nga BDI thonë se VMRO-DPMNE në bashkëpunim me “Levicën” po bllokon aktivisht mbi 500 milionë euro të destinuara për Korridorin 8 dhe 10D.
Nga kjo parti thonë se ndryshimet ligjore nuk cenojnë të drejtat e punëtorëve, ashtu siç pretendon opozita.
“Implikimet financiare të bllokimit të ligjit të TVSH-së janë 40 milionë euro, për ligjin e tatimit mbi fitimin janë 20 milionë euro, për tatimin e solidaritetit 80 milionë euro, si dhe bllokimi i ligjeve financiare për huamarrjet, 100 milionë euro nga Banka Europiane e Investimeve për kredi për ekonominë me kushte të favorshme dhe 100 milionë të tjera nga BERZH për ESM, mbi 150 milionë euro për korridoret 8 dhe 10 – D, si dhe gjithsej 260 milionë euro nga BE dhe FMN që varen nga ligjet tatimore, si dhe qindra milionë euro për hekurudhat në korridorin 8. Gjithashtu, VMRO DPMNE në bashkëpunim me Levicën po bllokon ligjet për ndërtimin e shpejtë dhe të lirë të korridoreve 8 dhe 10 – D, ndërsa kjo bllokadë e pakuptueshme po i kushton qytetarëve dhe buxhetit të shtetit mbi 150 milionë euro ndërtime më të shtrenjta dhe mbi dy vjet ndërtim më të gjatë të autostradave. Prandaj, vendimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për shfrytëzimin e mundësive të rregullores për miratimin e ligjeve për marrëdhëniet e punës, për ndërtimtari, për planifikim urban, shpronësime dhe ligjin special, është vendim i drejtë. Lajmet e rreme të opozites për përmendjen e 60 oreve pune apo që ka deputetet që e kanë parë kontratën, si dhe se do te paguhen gjobat bashkë me importimin e mbi 70% të fuqisë punëtore, ranë në ujë sepse janë thjesht lajme të rreme. Ligji i Punës i lejon të punësuarit, me pëlqimin paraprak me shkrim dhe me orar shtesë të paguar plotësisht, të mund të punojnë orë shtesë, ndërsa duhet të respektohen dispozitat për 12 orë pushim dhe 24 orë pushim gjatë javës. Ligjet e tjera lehtësojnë dhe thjeshtojnë procedurat institucionale për të gjitha projektet kombëtare dhe strategjike të vendit, jo vetëm për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10 – D, por edhe për hekurudhat, projektet energjetike, gazsjellësit etj”, thonë mes tjerash nga BDI.