KOSOVË

Chollet bisedon me Vuçiçin, pret “takim konstruktiv” në Bruksel më 2 maj

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se shpreson që do të ketë takim konstruktiv mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë më 2 maj në Bruksel.

“Bisedë thelbësore, pozitive me presidentin (Aleksandar) Vuçiq sot. Ramë dakord për fuqizimin e vazhdueshëm të partneritetit SHBA – Serbi dhe fokus të përbashkët për progresin në dialog, veçanërisht nevojën urgjente për të formuar Asociacionin”, shkroi Chollet në Twitter.

Kjo deklaratë e Chollet të enjten, më 27 prill, vjen përderisa në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u bënë thirrje që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Më 2 maj, në Bruksel, Serbia dhe Kosova pritet të vazhdojnë negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat po i zhvillojnë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë konfirmuar tashmë se në fokus të këtij takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jetë edhe çështja e Asociacionit, përkatësisht prezantimi i draft-statutit të Asociacionit, i hartuar nga Ekipi Menaxhues.

Kurti ka thënë të martën për mediat se puna e Ekipit Menaxhues, i cili përbëhet nga serbë, dhe përmbajtja e statutit nuk janë “edhe aq të njohura”.

Ai ka thënë se i ka shprehur Bashkimit Evropian gatishmërinë që ta hartojë vetë draft-statutin për Asociacionin, por se nga BE-ja i është thënë se kjo është punë e Ekipit Menaxhues.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Ekipi Menaxhues, më 2 maj, do ta prezantojë statutin për formimin e Asociacionit, por ka shtuar se nuk ka shpresa të mëdha që pala tjetër do ta pranojë atë.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia janë dakorduar me një marrëveshje të arritur në Bruksel në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Marrëveshja nuk është zbatuar kurrë, pasi Serbia këmbëngul në kompetenca të gjera për Asociacionin, ndërsa Kosova thotë se ato kompetenca do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.

Related posts

Mijëra persona në protestën e tretë kundër dhunës

admin

Situata në veri, Komandanti i KFOR-it i shkon në zyrë Kurtit

admin

Pamje nga arrestimet që bëri Njësia Speciale e Kosovës në veri, konfirmohet arrestimi i Millun Milenkoviç-Llune

admin

Leave a Comment