AKTUALE

Përfundon me sukses trajnimi “Zgjidhja e testit të maturës me softuer aplikativ” i organizuar nga Universiteti i Tetovës

Në Universitetin e Tetovës, Fakulteti i Shkencave Matematike – Natyrore mbajti sot trajnim njëditor me temë “Zgjidhja e testit të maturës me softuer aplikativ”.

Në këtë aktivitet morën pjesë maturantët e shkollave të mesme nga vendi ynë, të cilët patën mundësinë që të shfrytëzojnë platformat Wolfram Mathematica dhe GeoGebra, softuerë të përshtatshëm për punë në fusha të ndryshme të matematikës dhe shkencave të tjera, të cilët ofrojnë mundësi për zgjidhjen e problemeve matematikore komplekse, që e shpejtojnë procesin e zgjidhjes së problemeve dhe ndihmojnë për të vizualizuar dhe analizuar modele matematikore. Aktivitete të këtij formati organizohen për herë të parë në Programin studimor të Matematikës, ndaj organizatorët shpresojnë të kalojë në traditë në të ardhmen, duke parë interesimin e madh të maturantëve për të marrë pjesë në këtë proces.

Shefja e Programit studimor të Matematikës, Prof. Dr. Flamure Sadiki i falënderoi maturantët që nuk kanë hezituar të marrin pjesë në këtë ngjarje dhe potencoi se përdorimi i softuerëve të këtillë ndihmon në zhvillimin e interesimit të nxënësve për matematikën, duke ofruar një mënyrë më interaktive dhe tërheqëse për të mësuar. “Këta softuerë mund të përdoren për të zgjidhur probleme matematikore më të ndërlikuara, duke ndihmuar nxënësit të kuptojnë më mirë karakteristikat e problemeve dhe të zhvillojnë qasje të ndryshme për t’i zgjidhur ato. Përdorimi i softuerëve aplikativë mund të ndihmojë në zhvillimin e aftësive të programimit dhe kjo mund të jep një avantazh në karrierë për studentët në fushat e inxhinierisë, të shkencave kompjuterike dhe fushave të tjera teknike”, u shpreh shefja e Programit studimor të Matematikës, Prof. Dr. Flamure Sadiki.

Aplikimi i programeve të këtilla në mësimdhënie bën diferencën nga mësimdhënia dhe mësimnxënia tradicionale, duke ofruar një mënyrë më interaktive dhe tërheqëse për ta mësuar matematikën. Ky ndryshim mund të ndihmojë në motivimin e studentëve dhe në rritjen e suksesit të tyre.

Related posts

Qeveria do t’ua subvencionojë përsëri energjinë familjeve të cenueshme – Kush mund të aplikojë?

admin

Nik Gjeloshaj uron muajn e shejtë të Ramazanit: “Le të jetë muaj i rishqyrtimit të vërtetë të gjithçkaje të dukshme dhe përkushtimit ndaj Krijuesit”

Gjyla Halili

Siljanovska nga Koçani: Do t’i shqyrtoj statuset e të gjithë ambasadorëve jashtë vendit

Gjyla Halili

Leave a Comment