Gjashtëdhjetë punonjës në institucione të ndryshme dhe administratës të Maqedonisë së Veriut, do të fillojnë sot, në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës në Shkup, trajnimin për përkthim dhe lekturim në nivelin më të lartë të profesionalizmit të gjuhës shqipe.
Ky është viti i tretë që Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, i zhvillon trajnimet e kuadrove të përkthimit dhe i pari i këtij lloji në vendet e rajonit.
Duke vërejtur se ka një sërë problemesh në përdorimin e gjuhës, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, nëpërmjet këtij trajnimi, ka si qëllim t’i trajnojë përkthyesit dhe lektorët e të gjitha institucioneve, së pari të ministrive, organeve shtetërore, gjykatave dhe gjithë sektorit publik, për përkthimin sa më të drejtë të gjuhës.
Gjatë trajnimit do të ligjërojnë profesionistë të njohur të gjuhës, juristë dhe njohës të fushave të ndryshme nga Maqedonia е Veriut, Kosova dhe Shqipëria. Kjo nënkupton unifikimin e terminologjisë profesionale në gjuhët, që përdoren në vend dhe ngritjen e cilësisë së përdorimit të tyre, si edhe kthimin e dinjitetit të punës së përkthyesve, pse jo edhe licencimin tyre në gjuhën shqipe, në të njëjtën mënyrë siç është i rregulluar statusi i lektorëve të gjuhës maqedonase.
Koordinatorja e trajnimit, prof. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, na sqaroi se: “Duke pare përvojat e përkthyesve, lektorëve, apo hartuesve të shkresave administrative, në temat që do të trajtohen për këtë vit, kemi përfshirë të gjitha rrafshet, si analiza e tekstit, përkthimi i teksteve të veçanta socialo-kulturore, furnizimin me fjalë dhe shprehje të softuerit, etj. në shumicën e institucioneve shtetërore”, vazhdon prof. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, “nuk ka shumë përkthyes nga shqipja në maqedonisht dhe anasjelltas, as lektorë, por edhe aty ku ka, jo të gjithë janë të profilizuar mirë. Për këtë arsye e kemi organizuar trajnimin e tyre të klasifikuar në grupe të përkthyesve dhe lektorëve”.
Drejtori i Agjencisë së Gjuhëve, Ardian Musliu, i përshëndeti sot përkthyesit, lektorët dhe profesorët titullarë që do të marrin pjesë në trajnimin e organizuar nga Agjencia. Ai gjithashtu theksoi: “Njëra nga detyrat e AZGj-së është trajnimi i përkthyesve dhe lektorëve i të gjitha institucioneve të vendit, duke bërë që politikat gjuhësore të gjejnë zbatim dhe të unifikohet terminologjia administrative. Të shkruarit dhe përkthimi janë veprime të ndërlikuara, që kërkojnë përgatitje të lartë profesionale dhe përvojë të madhe. Zyrtarizmi i gjuhës shqipe në nivel shtetëror është një hap me peshë të madhe politike në vendin tonë”.
Trajnimi i përkthyesve dhe lektorëve do të zgjasë 6 javë, nga dy here në javë, dhe do të mbahet në auditorët e AZGj-së. Në vazhdimësi ne do t’ju njoftojmë çdo javë për temat dhe emrat e profesorëve që do të ligjërojnë.
Shkup, 25.04.2023