Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk heqin dorë nga organizimi i protestave, përkundër që Ligji për pagën minimale tashmë është kontestuar në Kushtetuese dhe nuk do të ketë dekretim të tij pa vendim të Gjykatës. Përfaqësuesit e organizatës së veteranëve kanë thënë se nuk do të lejojnë as mbajtjen e seancave e as punën e Qeverisë, madje kanë bërë thirrje për protesta më radikale me qëllim të arritjes së efektit të tyre.
Premtimi i presidentes se nuk do ta dekretojë Ligjin për pagën minimale nuk i ka bindur veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të heqin dorë nga veprimet e tyre kundërshtuese.
Protesta e 26 korrikut dhe bllokimi i mbajtjes së seancave plenare janë ende opsione reagimi për veteranët, pavarësisht se Ligji i cili i ka përjashtuar ata nga rritja e pensionit në shkallë të pagës minimale, ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.
Gazmend Syla, kryetar i OVL të UÇK-së në Pejë, ka thënë se kundërshtitë e tyre do t’i vazhdojnë për të treguar se nuk lejojnë të nëpërkëmbet dinjiteti i tyre.
“Organizata e veteranëve të luftës ka marrë vendim që me e kundërshtu mbajtjen e çdo seance që thirret nga Kuvendi i Kosovës. Qëndrimi i presidentes për të mos e dekretuar ligjin deri në vendim të Gjykatës Kushtetuese neve nuk na i zbehë qëndrimet tona. Do të jemi stoikë në qëndrimet që i kemi për realizimin e të drejtave tona”, ka deklaruar ai.
Kryeministri Albin Kurti një ditë më parë, ka thënë se çështja e veteranëve mund të zgjidhet vetëm me dialog. Por në OVL të UÇK-së kanë thënë se prej qershorit të vitit të kaluar, asnjëherë nuk janë ftuar për takim nga kryeministri, ndonëse shprehen të gatshëm për të.
Emin Lati, kryetar i OVL të UÇK-së në Skenderaj, ka thënë se protestat e ardhshme duhet të jenë më radikale, meqë paqësoret që i kanë bërë deri tash, sipas tij, nuk janë marrë parasysh.
“Na ka mbetur treni i fundit e duhet pak me i ndezë motorët edhe ndoshta me e bo një protestë edhe më të egër… Mos m’i lanë deputetët me hy brenda, mos me i lanë qeveritarët të hynë brenda nëpër zyrat e veta”, ka thënë ai.
Të premten, një javë pas miratimit në Kuvend, AAK-ja e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pagën Minimale.
Pas këtij veprimi nga Presidenca, janë deklaruar se nuk do të ketë dekretim të Ligjit deri në vendim të Kushtetueses.
Mosdekretimi i tij ka qenë kërkesë e veteranëve në protestën e kaluar.