KOSOVË

Çekia e gatshme që për herë të parë të emërojë një ambasador në Kosovë

Ministria e Jashtme e Çekisë ka një Ambasadë në Prishtinë, por në 15 vjetët që kur Kosova e ka shpallur pavarësinë, kurrë nuk ka pasur një ambasador me të drejta të plota.

Por, politika e jashtme çeke është para një ndryshimi historik, shkruan mediumi çek “Seznam Pravy”. Praga mendon të dërgojë ambasador me të drejta të plota në Kosovë.

Deri tash ka pasur kundërshtim nga “tandemi” i dy ish-presidentëve, Vaclav Klaus e Millosh Zeman.

Republika Çeke e njohu Kosovën në vitin 2008, në të njëjtin vit kur Kosova e shpalli pavarësinë.

Por, gjithmonë ka qenë çështje e ndjeshme, shkaku i mosmarrëveshjeve me Serbinë dhe si rrjedhojë edhe lidhjet e saja të ngushta me Rusinë.

“Zoti president është i gatshëm të ndërmarrë këtë hap”, ka thënë Eva Hromadkova, zëdhënëse e Presidencës së Çekisë, kur është pyetur nëse do të emëronte presidenti çek një ambasador në Kosovë.

Formalisht, këtë pushtet e ka presidenti i Çekisë, Petr Pavel.

Të mërkurën, siç raportojnë burime për “Seznam Zprav”, Qeveria e Çekisë ka diskutuar për emrin e diplomatit që do të bëhet ambasadori i parë në Prishtinë. Raportohet se bëhet fjalë për një diplomat me karrierë të gjatë, që ka përvojë edhe në postin e ambasadorit.

“Ne nuk komentojmë detajet e emërimit të ambasadorëve për shkak të regjimit në të cilën po kryhen”, tha Daniel Drake, zëdhënës në Qeverinë e Çekisë.

Ai tha se Çekia po përpiqet të vendosë marrëdhënie me Kosovën në nivel ambasadori.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka mbajtur prej kohës qëndrimin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën në nivelin më të lartë, pasi është e nevojshme të korrigjohet situata absurde ku Çekia e njeh pavarësinë e Kosovës, ka një ambasadë atje, por nuk ka ambasador”, tha Drake.

“Në Kosovë është situatë paradoksale. Gjithë Bashkimi Evropian përfaqësohet atje në rolin e ambasadorit – nga diplomati Tomas Szunyog. Megjithatë, vetë Republika Çeke ka atje vetëm një diplomat të ri, të ngarkuarin me punë Pavel Bilek, që gjendet që nga viti 2018”, thuhet nga mediumi çek “Seznam Pravy”.

Njohja e Kosovës nga Çekia kishte pasur kundërshtime nga ish-presidentët çekë Vaclav Klaus e Millosh Zeman.

E asnjë ambasador nuk mund të mbajë detyrën pa pëlqimin e presidentit të shtetit të Çekisë.

Zeman madje në vitin 2019, kur kishte qenë në kulmin e fuqisë politike, i kishte premtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se do ta diskutonte me Qeverinë “çnjohjen e Kosovës”.

Related posts

Brenda një muaji, asamblistja e Prishtinës kalon nga LVV-ja në PDK dhe kthehet sërish në LVV

admin

Hamëz Jashari përkujtohet nga djali i tij në përvjetorin e lindjes

Gjyla Halili

Dëshmohet se janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës

admin

Leave a Comment