Shkup, 6 prill- Ekonomia e Maqedonisë së Veriut këtë vit do të shënojë rritje nga 2,4 për qind, vitin e ardhshëm prej 2.7, ndërsa në vitin 2025 prej 2.9 për qind, parashikon Banka Botërore në Raportin Ekonomik për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.
Shkalla e inflacionit, nga ana tjetër, këtë vit do të arrijë në 9.3 për qind, në vitin 2024 do të ulet në 3 për qind, ndërsa në vitin 2025 do të jetë 2.0 për qind.
Banka Botërore në pjesën e raportit për Maqedoninë e Veriut thekson se pavarësisht rimëkëmbjes së shpejtë pas pandemisë së koronavirusit, kriza energjetike ka reduktuar rritjen dhe ka rritur inflacionin në nivelin më të lartë në dy dekada, duke ngarkuar financat publike në kushte të rritjes së shpenzimeve të huamarrjes. Inflacioni është përshpejtuar dhe ka arritur kulminacionin prej rreth 20 për qind në fund të vitit 2022 nxitur nga rritja dyshifrore e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë.
Inflacioni i lartë krijoi sfida shtesë. Varfëria u zvogëlua mesatarisht në vitin 2022. Çmimet më të larta të ushqimeve dhe energjisë kanë ndikuar negativisht në mirëqenien e familjeve, veçanërisht tek më pak të pasurit që shpenzojnë më shumë nga të ardhurat e tyre dhe kanë më pak mekanizma për të përballuar çmimet më të larta. Masat për mbështetje të Qeverisë, përfshirë edhe subvencionet e energjisë elektrike dhe rritjen prej 18 për qind të pagave minimale, sipas BB-së deri në një shkallë kanë zbutur goditjen.
Rritja e kredisë së korporatave, thekson banka, mbeti stabile deri në dhjetor të vitit 2022, megjithëse përkeqësimi i kushteve financiare në një kohë të rritjes së kostove të inputeve dhe huamarrjes mund të ndikojë në performancën e firmave dhe të dëmtojë rimëkëmbjen e brishtë. Krizat patën gjithashtu një efekt fiskal negativ dhe reduktuan ndjeshëm hapësirën fiskale për të mbështetur rritjen në periudhën afatmesme. Borxhi publik u zvogëlua në 59.6 për qind të BPV-së në vitin 2022, por detyrimet e mbetura u rritën në 3.2 për qind, ndërkohë që deficiti primar mbeti i lartë dhe subvencionet për kompaninë shtetërore të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve arritën në 2.4 për qind të BPV-së.
Banka Botërore gjithashtu thekson se kreditimi i sektorit bankar mbeti stabil në vitin 2022. Banka qendrore ngriti shkallën bazë të interesit në 5.25 për qind për të parandaluar pritjet e inflacionit, kursi i denarit mbeti stabil, ndërsa rezervat devizore u rikuperuan nga humbjet e shkaktuara në fillimin e luftës në Ukrainë.
Perspektivat afatmesme të rritjes janë pozitive, ndërsa rreziqet janë ulur me lehtësimin e kushteve të financimit dhe pasi vendi siguroi financim për vitin 2023. Pritet që rritja në vitin 2023 të rritet në 2.4 për qind që është 0.3 nën parashikimin e raportit të vjeshtës, kryesisht për shkak të çrregullimeve të shkaktuara nga lufta në Ukrainë dhe krizës së zgjatur energjetike.
Shkalla e inflacionit pritet të ngadalësohet këtë vit nën supozimin se kriza energjetike do të qetësohet.
Ndërsa rreziqet themelore mbeten dhe janë të lidhura ngushtë me perspektivën ekonomike të partnerëve kryesorë tregtarë të vendit, progresi në negociatat për qasje në BE mund të sigurojë nxitjen shumë të nevojshme për reformën dhe rritjen ekonomike.
Njëherësh, rritja e pasigurisë politike dhe udhëkryqi parlamentar para zgjedhjeve mund të shtyjnë zbatimin e reformave kryesore. Së fundmi, inflacioni më i lartë seç pritet mund të shkaktojë një shtrëngim të politikës monetare e cila mund të kufizojë më tej opsionet e financimit dhe të shtyjë aktivitetin ekonomik, qëndron në raportin e Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut.