Kryeministri Rama, ka zhvilluar një takim ditën e sotme me disa nga mësuesit e Tiranës, ku ka premtuar rritje të pagave për të gjithë mësuesit e 9-vjeçares dhe të gjimnazit.
Rama bëri me dije se se vitin e ardhshëm paga do të shkojë në një nivel tjetër, ndërsa tek rritja e përgjithshme mësuesve të 9-vjeçares do të shkojë mbi 95 mijë lekë, për ata të gjimnazit mbi 106 mijë lekë.
Rama: Lajmin për rritjen e pagave të mësuesve, Kryeministri Rama e ndau sot në një komunikim të drejtëpërdrejtë me mësues të shkollave të Tiranës, ku së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi shpjegoi detaje të planit të qeverisë për rritjen e pagave në tërësi, me fokus të veçantë në rritjen e pagave për arsimtarët.
“Jemi këtu për një çështje të rëndësishme që gjithashtu ka qenë e diskutimeve tona, çështja e pagave. Kemi diskutuar, kemi debatuar, por në një pikë kemi rënë dakord; Mësuesit meritojnë të paguhen më shumë, përveçse të vlerësohen me dinjitet, por dhe të paguhen më shumë. Kështu që, ne sot jemi këtu për të dhënë një lajm të mirë. Mandatin e kaluar ju e dini që pagat e mësuesve u rritën me 32%. Në fillim të këtij mandati ne u angazhuam që pagat do të rriten 40% dhe filluam menjëherë, vitin e parë 6%, këtë vit do të rriten 7%, por ambiciet tona janë shumë më të mëdha se kaq.” – u shpreh Ministrja e Arsimit Evis Kushi.
Ndërsa, Kryeministri Rama shpjegoi se rritja e pagave do të realizohet në dy etapa, ku fillimisht do të bëhet rritja 7 % dhe pastaj në hapin tjetër, pra vitin e ardhshëm paga e arsimtarëve do të kapërcejë në një tjetër nivel.
“Erdhëm në fakt, për t’ju komunikuar drejtpërdrejtë dhe informalisht dhe për arsye se çfarë nuk ju bie të dëgjoni, çfarë nuk ju bie të shikoni. E kam për të gjithë ata që nuk u rrihet pa u futur në ato mrokllat ku çfarë nuk ka brenda dhe çfarë nuk thuhet dhe çon në disinformim shumë, por me siguri ju e keni dëgjuar që ne kemi vendosur të bëjmë një rritje të ndjeshme të pagave, gjë që për hir të vërtetës e kemi vendosur duke u bazuar tek fakti që i kemi tani mundësitë që ta bëjmë këtë gjë sepse nuk i kemi pasur më përpara, jo se nuk kemi dashur.
Sigurisht që kategoria juaj ka qenë në vëmendje të vazhdueshme për të përfituar rritje të vazhdueshme të pagave krahasuar gjithmonë me nga jemi nisur, por dëshira jonë ka qenë që të bëjmë më shumë dhe gjithë përpjekja është bërë që të kemi mundësi për të bërë shumë sepse në fund të ditës, nuk është vetëm çështje dëshire, është çështje mundësie dhe pagat nuk rriten sepse ti do që t’i rrisësh por rriten sepse ti ke mundësi që pastaj t’i qëndrosh asaj rritjeje sepse nuk rriten për një muaj, rriten përgjithmonë që do të thotë kapaciteti për të qëndruar në atë kontratë korrekt, garantohet nga rritja e mundësive ekonomike.
Këto janë të gjithë gjëra të thjeshta fare që ju i dini më mirë se unë se ju jeni dhe mësues dhe mësuese. Mësuese në fakt se mësues, disa hudhra për të mos marrë mësysh ka këtu.
Rritja që do të bëjmë lidhet dhe me faktin që siç e keni parë, ne bëmë një rritje përtej parashikimit të pagës minimale edhe për këtë sepse pamë që mundësia e rritjes së përgjithshme të pagave u krijua dhe sepse është shumë e rëndësishme që paga minimale të shtyjë edhe sektorin privat përpara, sepse është e vetmja gjë që në këtë sistem që ne kemi, shteti mund të bëjë me detyrim për të gjithë, pra jo vetëm për veten, por edhe për sektorin privat dhe detyrimisht në momentin ku paga minimale rritet, duhet bërë gjithë korrektimi.
Kemi bërë një plan me dy hapa i cili do të nisë tani dhe do të përmbyllet në vitin e ardhshëm në mënyrë që të realizojmë këtë rritje. Ju e dini shumë mirë që për mësuesit, ishte parashikuar edhe për mjekët, rritja 7% kështu që do të bëjmë rritjen 7% dhe pastaj në hapin tjetër dhe ky nuk është premtim, por plan financiar, në hapin tjetër pra vitin e ardhshëm, paga juaj do të kapërcejë në një tjetër nivel. Pra, nëse sot që flasim rritja mujore do të jetë midis 3584 për mësuesit e shkollës 9-vjeçare, 3843 për mësuesit e shkollave të mesme dhe deri në 5800 për drejtuesit. Tek rritja e përgjithshme, mësuesit në shkollat 9 vjeçare do të kenë një pagë 95 550 lekë, mësuesit në shkollat e mesme do kenë një pagë 106 800 lekë. Sigurisht këto janë bazat dhe pastaj ka sipas vjetërsisë, kualifikimeve që variojnë, por ky është niveli i pagës së mësuesve.
Besoj që është një rritje e mirë, e ndjeshme dhe është thuajse dyfishi i pagës që keni pasur ju kur jemi nisur bashkë në këtë përpjekje, ku kemi pasur dhe shumë probleme që na kanë dalë rrugës, por sot mund ta them me plot gojën që jemi në një fazë të re në të gjitha aspektet e parametrave financiarë të shtetit. E rëndësishme është që të rrisim pagat kaq ndjeshëm, por do vazhdojmë të ulim borxhin publik. Në ndërkohë, të jeni të bindur që kjo rritje pagash do sjellë më shumë motivim, më shumë përkushtim për punën e të gjithëve.
Patjetër që kjo do tërheqë më shumë dhe sektorin privat sepse detyrimisht sektori privat do duhet ta rishikojë pozicionin e vet sepse me këto paga mësuesit shkojnë në nivele që janë plotësisht konkurruese me sektorin privat, por po kështu dhe me të gjithë të tjerët.
Kështu që, për këto erdhëm dhe nëpërmjet jush e pastaj këtu na dëgjojnë dhe mësuesit e tjerë por duke qenë se ju jeni të lidhur me njëri-tjetrin, kur të takoni të keqkuptuar rrugës i thoni “Mos ki merak se kjo gjë është e gjitha e planifikuar, e kalkuluar”. Kuptohet këto bishtat mund të ndryshojnë por themeli është ky dhe i gjithë plani do paraqitet zyrtarisht, publikisht dhe pastaj sipas kategorive do të bëhet në këto dy faza, por i gjithi praktikisht në harkun nga prilli, në prill. Shumë faleminderit!” – u shpreh Kryeministri Rama.
Top Channel