SHQIPËRI

Angazhimi italian për integrimin e Vendeve të Ballkanit në BE

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani ka botuar një editorial në Il messaggero, pas takimit me homologët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe ministren shqiptare, Olta Xhaçka.

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani

Vendet e Ballkanit nuk mund të presin më. Promovimi i veprimit italian në rajon, veprim të cilin Qeveria jonë e ka nisur me Konferencën e Trieste-s, që u zhvillua më 24 janar të këtij viti, pati një tjetër hap të rëndësishëm në mbledhjen ministrore e cila u mbajt dje, datë 3 prill, në Romë. Së bashku me ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si edhe me Kryesinë suedeze të radhës të Këshillit të Evropës dhe Komisionerit për Zgjerim dhe Politikën e fqinjësisë, diskutuam mbi mënyrën se si të konkretizojmë më tej procesin e integrimit evropian të këtij rajoni.

E kemi parë me vëmendje etjen e madhe, për Evropë dhe Itali, të këtyre Vendeve, pritshmërinë e tyre për t’u bërë pjesë e projektit evropian me të cilin ndihen të lidhur ngushtë nga historia, kultura, ekonomia, dhe në realizimin e së cilit dëshirojnë të kontribuojnë me energjinë e shoqërisë së tyre civile dhe entuziazmin e të rinjve të tyre. Bisedimet nxorrën në pah nevojën për të punuar bashkërisht për një integrim në mekanizmat dhe në jetën institucionale të BE-së që prej nisjes së bidesimeve, veçanërisht në sektorët kryesorë si transicioni energjitik dhe digjital, infrastrukturat, arsimin, veprimtarinë kërkimore.

Ajo çka këto Vende kërkojnë nuk është një lehtësim i reformave që Bashkimi Evropian u ka kërkuar të realizojnë për t’u bërë pjesë e tij, por siguria e procesit, afatet kohore dhe, mbi të gjitha, rezultatin përfundimtar. Kam mundur në fakt të prek nga afër shqetësimin e tyre për një proces integrimi që vitet e fundit ka ndryshuar gjithmonë e më shumë edhe për shkak të një interpretimi burokratik të dinamikave të bisedimeve nga ana e Bashkimit Evropian. Duke vepruar në këtë mënyrë harrojmë vlerën e jashtëzakonshme transformuese që procesi i integrimit u jep institucioneve dhe shoqërisë civile të këtyre Vendeve. Ëndrra evropiane rrezikon të kthehet, për të gjitha këto, në një utopi.

Zhgënjimi në rritje, i shtetasve të Ballkanit Perëndimor, mbi perspektivën evropiane të Rajonit, është një këmbanë alarmi që duhet të shkundë Bashkimin Evropian dhe Vendet anëtare të tij. Kujdes: Bashkimi Evropian nuk mund t’i lejojë vetes të humbë Ballkanin Perëndimor. Siguria evropiane – dhe agresioni rus ndaj Ukrainës na e kujton gjithmonë se sa e kërcënuar është ajo sot – do të rrezikohej seriozisht nga kjo perspektivë. Italia është ndër Vendet më shumë të rrezikuara nga një skenar i tillë, edhe në frontin e emigracionit.

Italia ndihet përgjegjëse të bëhet zëdhënëse e shpresave dhe pritshmërive të atyre që jetojnë në anën tjetër të Adriatikut dhe që e shohin veten pjesë të Evropës së bashkuar. Për këtë arsye Qeveria italiane ka luftuar e punuar për dhënien e statusit “Kandidat BE” për Bosnjën dhe Hercegovinën, simbol të kompleksitetit por edhe të potencialit të jashtëzakonshëm të këtij rajoni. Me të njëjtën vendosmëri do të vijojmë të punojmë që të ketë gjithmonë e më shumë Evropë dhe gjithmonë e më shumë Itali në Vendet e Ballkanit.

Italia dëshiron të jetë protagoniste e paqes, ndërtuese e integritetit dhe begatisë. I kemi të gjitha mundësitë t’ia arrijmë qëllimit. E dëshmon këtë mirënjohja e sinqertë për kontributin që gratë dhe burrat tanë ushtarakë japin në stabilitetin e rajonit; e dëshmon mirënjohja për mënyrën tonë të së bërit biznes, provuar kjo nga një shkëmbim në rritje (+50% shkëmbim në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 me një vlerë totale prej rreth 17 miliardë euro) si edhe suksesi i nismave si i pari “Business and Science Forum Italia-Serbia”, pjesë e të cilit u bënë më shumë se 400 sipërmarrje.

Qeveria italiane është e angazhuar dhe do ta luajë rolin e saj deri në fund, siç përmendi Kryeministrja në çelje të mbledhjes ministrore në Romë. Angazhimi ynë në Ballkanin Perëndimor do të vijojë me më shumë fuqi e bindje. Vendet e Ballkanit nuk mund të presin më gjatë.


Top Channel

Related posts

Në KQZ shkojnë dy PD/ Një kërkesë nga Berisha dhe tjetra nga Alibeaj me emrin e Bashës

admin

Manastirliu: Miratohet fondi për mbështetje ndaj ndërmarrjeve sociale nëse punësojnë individë në nevojë

admin

Begaj për vdekjen e Berlusconit: Lajm i trishtë

admin

Leave a Comment