Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Toni Gogu, kërkon hetim urgjent për Monika Kryemadhin, pas publikimit të dokumenteve që tregojnë lidhjen e saj me oligarkë rusë.
Ish-zonja e Parë dhe ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, është zhytur në thesin e rublave, u shpreh Gogu në një deklaratë për mediat, ndërsa kërkoi që Kryemadhi t’u përgjigjet qytetarëve për lëvizjet e saj jashtë shtetit, që përkojnë me transaksionet me oligarkët rusë.
“Dokumentet tregojnë që Kryemadhi ka bërë transaksione me oligarkë rusë. Ky është një alarm për sigurinë kombëtare të vendit, pasi e dimë që qëllimi i Rusisë është të krijojë zona ndikimi pro ruse në Ballkan.
Këto transaksione tregojnë vulnerabilitetin e Shqipërisë dhe tregojnë se fijet ruse në Ballkan tani janë shtrirë. Është e rëndësishme që sot të shqetësohemi të gjithë.
Shqipëria është aleat i vendeve që sot po ruajnë territorin e Ukrainës dhe si pasojë të gjitha këto vende janë në siguri të lartë ndaj këtij sulmi. Në respekt të këtyre shteteve, Kryemadhi duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve. Pse nuk i ka deklaruar këto pagesa. Çfarë lidhje ka Kryemadhi me oligarkë që janë sponsorë të Putin.
Si mundet gruaja e presidentit të ketë kompani offshore.
Duhet t’u përgjigjet qytetarëve për lëvizjet e saj jashtë shtetit. Lëvizjet e saj në 2017 korrespondojnë me lëvizjet në llogari.
Si mundet të jetë një politikan në një thes të tillë rublash dhe të mos u japësh shpjegimet e duhura qytetarëve. Si mund të jetë normal anashkalimi i një përgjegjësie të tillë, ku cenohet siguria kombëtare. Këtë e bën Kryemadhi dhe bashkëshorti i saj Ilir Meta.
I bëjmë thirrje organeve ligjvënëse të nisin urgjentisht hetimi. Është cenuar siguria kombëtare. Shqipëria është njollosur.”
Dokumentet e publikuara nga Top Channel, tregojnë pagesa të kryera nga biznesmenë rus të naftës me përfituese zonjën Kryemadhi, të cilat ajo nuk i ka deklaruar.
Në kushtet kur zonja Kryemadhi është deputete e Kuvendit të Shqipërisë, ajo është subjekt i ligjit për “Deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”.
Këto dokumente mbërritur përmes postës elektronike në Top Channel tregojnë se Monika Kryemadhi, më 15 shkurt 2017, mori një pagesë prej 5,350 euro nga kompania Holdem.
Ndërsa një vit më pas në 23 maj të vitit 2018 një tjetër pagesë prej 13,500 euro po nga Holdem.
Transfertat janë në shuma të vogla por ato tregojnë se janë fshehur llogari bankare në banka në Zvicër dhe aksione në kompanitë offshore.
Këto të dhëna të faktuara përmes dokumenteve janë mjaftueshëm për të vënë në lëvizje fillimisht Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave siç edhe ia kërkon neni 27 i ligjit, për të thirrur subjektin në rastin konkret zonjën Kryemadhi.
Top Channel