Lefter Alla, që u arrestua pak ditë më parë me akuzat për korrupsion dhe abuzim me tenderat publikë, është shkarkuar nga detyra e kryebashkiakut të Bulqizës.
“Në mbështetje të neneve 100 e 115, pika 1, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 62, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave, vendosi shkarkimin nga detyra, për shkak të shkeljeve të rënda, të kryetarit të Bashkisë Bulqizë, z. Lefter Alla”, është vendimi i qeverisë.
Lefter Alla mbante postin e kryetarit të bashkisë që prej qershorit të vitit 2019. Ai u arrestua në 15 mars, dy muaj larg zhvillimit të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 14 maj.
Gjatë mandatit të tij në krye të bashkisë Bulqizë, Alla është gjendur disa herë përballë organeve të drejtësisë, pasi është përballur me akuza të ndryshme.
Në janar të vitit 2020, ai u hetua për mbajtje dhe prodhim droge pas publikimit të një videoje ku pretendohej se ishte ai duke konsumuar drogë.
Këto hetime u shuan nga prokuroria pasi pas analizave ai nuk doli përdorues dhe ekspertët që vëzhguan videon dolën në konkluzionin se filmimi nuk është marrë drejtpërdrejt nga pajisja regjistruese, por është regjistruar me aparat celular, nga ekrani i një kompjuteri, ndaj për këtë arsye, nuk mund të përcaktohet qartë data dhe ora reale e regjistrimit, si dhe nuk mund të identifikohen personat që shfaqen në të.
Top Channel