AKTUALE

NË GAZETARINË E QANI MEHMEDIT GJEJMË DILEMAT INTELEKTUALE TË NJË SHOQËRIE

Çdo traditë i ka shenjat e saja identifikuese, kurse çdo shenjë ka një emër. Qani Mehmedi me gjithë bagazhin e tij profesional, kombëtar e intelektual bëri emër duke na lënë trashëgim stilin, guximin dhe vizionaritetin në shkrimet e tij. Ai leximin e impononte si kriter për të dalluar intelektualin  vërtetë nga një shkollar i rëndomtë me diplomë

Nga Emin AZEMI

Ky është rasti i dytë që po shkruaj për Qani Mehmedin. Rasti i parë ishte imponuar nga ikja e tij e parakohshme nga kjo botë (2017)  dhe me atë rast, gjithçka që ka mundur të thuhet për Qaniun, ka pasur në thelb një notë pikëllimi e dhembjeje, sepse , jo vetëm se shkuarja e tij na tronditi shpirtërisht, por edhe pse nga radhët tona po rrëzohej një lis i cili gjatë gjithë kohës na kishte bërë hije me dashamirësinë dhe bujarinë e tij prej njeriu e profesionist. Vetëm kur na mungon kjo hije, ne e hetojmë se na mungon edhe freskia që sjell prania e një njeriu të dashur, i cili qëndroi vertikalisht gjatë “lundrimit” të tij në dallgët e trazuara të jetës.

Sot në këtë 70 vjetor të lindjes së tij, secili prej nesh ruan diçka të shenjtë nga miqësia me Qani Mehmedin dhe kjo ndoshta është pasuria më e madhe e një njeriu, sepse gjërat materiale shkojnë  vijnë, por ajo që mbetet e shtresuar në jetën e njeriut është pikërisht kujtimi për vlerat njerëzore të një miqësie të sinqertë.

Sot, profilin e Qani Mehmedit, do ta shikojmë sikur asgjë s’ka ndodhur me të, sikur ai të vazhdonte të ishte ende në mesin tonë… Ai sot, si një burrë 70 vjeçar, me një karrierë mbi 40 vjeçare në gazetari, dhe me një ndikim të jashtëzakonshëm në formimin e brezave të shumtë gazetarësh e redaktorësh në shtypin tonë, sigurisht vazhdon të na frymëzojë pikërisht në një kohë kur transformimi teknologjik i medias ka krijuar një diskurs të ri publik. Rrathët e këtij frymëzimi shkojnë duke u zgjeruar, për aq sa është i gjerë edhe fushëveprimi i tij në mediat shqipe në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri gjetiu…. Gjithkund ku ai punoi, la gjurmë dhe sot gjithkush që provon të shkruaj historinë moderne të gazetarisë shqiptare, e ka të pamundur të shmang emrin e tij nga data-baza e kujtesës sonë kulturore.

Çdo traditë i ka shenjat e saja identifikuese, kurse çdo shenjë ka një emër. Qani Mehmedi me gjithë bagazhin e tij profesional, kombëtar e intelektual, na la trashëgim stilin, guximin dhe vizionaritetin në shkrimet e tij gazetareske publicistike. Ai me guximin e mjaftueshëm profesional iu rrek edhe trajtimit shkencor të problematikave politike e kombëtare dhe për rrjedhojë dëshmojnë edhe veprat e tij që na i la si një thesar i çmuar.
Teksa po i shfletoja fletët e verdha të gazetave e revistave në arkivin e Qaniut,  hasa edhe në shumë shkrime që nuk i kisha lexuar, dhe kjo më nxiti të mendoj për fatin e autorit të vetmuar  që ngel ndokund skutave të një  arkivi, i cili pret që një ditë gjithë ky material voluminoz shkrimesh me karakter të ndryshëm tematik e zhanror  të mblidhet dhe të sistemohet në disa vëllime librash. Sepse ky mund të jetë shpagimi, por edhe detyrimi më i madh ndaj Qani Mehmedit, duke e paraqitur profilin e tij tash më jo si një një autor fragmentar i shpërndarë nëpër fletë të zverdhuara gazetash revistash, por si një emër që i bën nder çdo biblioteke me vëllimet që mund të dalin nga shkrimet e tij të shumta.
Qani Mehmedi ishte reporter terreni prej nga sillte ritmet e jetës së padukshme për syrin e rëndomtë. Ai solli një stil të ri në zhvillimin e intervistës, duke imponuar mendim dhe rezon intelektual në pyetje dhe duke eliminuar çfarëdo lloj forme të inferioritetit kundrejt bashkëbiseduesit. Ai e respektonte bashkëbiseduesin, por e bënte të mos ndjehej gjithaq komod, pikërisht me pyetjet që shtronin teza e mendime për shqyrtim. Në pyetjet e Qani Mehmedit, gazetaria jonë bashkëkohore gjen në fakt dilemat intelektuale të një shoqërie e cila po kërkonte rrugën e vet të shtetndërtimit dhe finalizimit të proceseve politike e kombëtare. Ai ishte njohës i mirë i konteksteve në të cilat zhvilloheshin ngjarjet, prandaj shkrimet dhe intervistat e tij merreshin edhe si referencë dhe orientim nga shumë faktorë politikbërës.

Emrin e Qani Mehmedit e hasim edhe në shumë ese, recensione e kritika për film,  teatër, letërsi dhe ky fakt e bën profilin e tij më kompleks në pikëpamje të shumdimensionalitetit tematik e zhanror të shkrimeve të tij. Qani Mehmedi vet ishte një lexues i pasionuar i letërsisë, filozofisë e estetikës dhe leximin e impononte si kriter për të dalluar intelektualin  vërtetë nga një shkollar i rëndomtë me diplomë… Për këtë dëshmojnë edhe debatet e shumta private e publike që ai i zhvillonte, e ku spikaste erudicioni i një profesionisti të formuar, sepse Qaniu konsideronte se një gazetar a publicist që nuk lexon vazhdimisht, e ka vështirë të krijoj identitetin e tij si autor. Para çdo interviste, apo çdo teme që kërkonte trajtim më serioz, Qaniu lexonte dhe hulumtonte paraprakisht dhe kjo e bënte atë një autor kredibil që tejkalonte shprehitë rutinore të gazetarëve të tjerë. Prandaj kur flasim për Qani Mehmedin, e kemi parasysh  një autor me profil të lartë formimi intelektual e profesional, ashtu siç përshkuhet gjithë rruga e zhvillimit të tij që nga gazeta e studentëve “Bota e re”, e deri në mediat audiovizive në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni… Bashkë me Qaniun, u rrit dhe u zhvillua edhe gazetaria jonë dhe në pyetjen  vështirë nëse  gazetaria mori më shumë nga Qaniu, apo Qaniu nga gazetaria, përgjigja më e natyrshme mund të vjen pikërisht në këtë 70 vjetor të lindjes së tij, kur rreth emrit të tij vazhdon të gravitoj një interesim që kufizohet me kureshtjen për të mësuar më shumë mbi fshehtësitë e zanatit të gazetarisë që ai i aplikoi gjatë karrierës mbi 40 vjeçare në mediat e shtypura dhe audio-vizive.

Related posts

Lëvizja BESA mban kuvendin e degës në Saraj, konsolidon kryesinë e degës

Gjyla Halili

Osmani dekreton Ahmet Ismailin në postin e guvernatorit të Bankës Qendrore

admin

Arben Taravari sfidon Ali Ahmetin në garën për President

Gjyla Halili

Leave a Comment