SHQIPËRI

Sekretari i Vatikanit, Imzot Paul Richard Gallagher në Tiranë/ Pritet nga ministrja Xhaçka, zbardhen diskutimet

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, Imzot Paul Richard Gallagher ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë, ku këtë të shtunë është pritur nga ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.

Pas takimit të zhvilluar mes tyre, Xhaçka tha me sekretarin e Vatikanit patën një bisedë konstruktive për zhvillimet e fundit, ku u nënvizua marrëdhënia historike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, që shkon përtej atyre institucionale.

Xhaçka thotë se me Vatikanin na lidh historia e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e Shenjta Nënë Terezë, figura që bëjnë të ndihet krenar çdo shqiptar, pavarësisht përkatësisë fetare.

“Me Imzot Gallagher, patëm mundësinë të bisedonim gjatë, një bisedë vërtet interesante dhe komstruktive  Mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, në fakt, mes shqiptarëve dhe Selisë së Shenjtë, ekziston një marrëdhënie historike dhe shumë e rëndësishme, që shkon përtej marrëdhënieve thjesht institucionale, pasi kanë një dimension të fortë shpirtëror dhe moral. Me Vatikanin na lidh historia e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, na lidh e Shenjta Nënë Terezë, figura që bëjnë të ndihet krenar çdo shqiptar, pavarësisht përkatësisë fetare.

I shpreha Imzot Gallagher mirënjohjen tonë për shpalljen e Lumturimit të 38 martirëve në përfaqësim të Kishës Katolike shqiptare, si dhe krenarinë tonë për emërimin e Don Ernest Troshanit si Kardinal Nderi në Vatikan. Kjo është një shenjë e qartë vlerësimi jo vetëm për rezistencën e Kishës Katolike por edhe të besimtarëve katolikë dhe të mbarë popullit dhe kombit shqiptar gjatë dekadave të errëta të regjimit, si dhe një sinjal pozitiv për intensifikimin e marrëdhënieve tona.

Selia e Shenjtë dhe Kisha Katolike janë shumë aktivë në hapësirën shqiptare me një sërë iniciativash e projektesh në fushën e arsimit, kulturës, shëndetësisë, ndihmës sociale dhe unë shpresoj që duke punuar ngushtë së bashku do të arrijmë ta thellojmë këtë bashkëpunim.

Sigurisht folëm edhe për zhvillimet në rajon e më gjerë, për agresionin rus në Ukrainë dhe pasojat e tij dramatike jo vetëm për Ukrainën e popullin e saj heroik, por edhe për mbarë botën. I shpreha imzot Gallaghaer vlerësimin e Shqipërisë për qëndrimin e qartë e të guximshem moral që Selia e Shenjtë dhe Ati i Shenjtë dhe rolit që ata kanë luajtur, duke dënuar luftën e duke bërë lëshuar mesazhe të forta në mbeshtetje të paqes.

Padyshim diskutuam edhe për hapësirën shqiptare, duke u ndalur kryesisht tek Kosova. Përurimi i Katedrales Katolike të Prishtinës me emrin e të Shenjtës Nënë Tereza, ishte një moment vërtet i bukur që dëshmoi jo vetëm vëmendjen e veçantë dhe në rritje të Selisë së Shenjtë ndaj Kosovës, por edhe diversitetin dhe tolerancën e Kosovës. Gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri Papa Françesku u shpreh se Shqipëria është një vend i vëllazërisë fetare. Por bashkëjetesa fetare është një fakt historik i të gjithë shqiptarëve dhe ne ndihemi çdo ditë krenarë për këtë vlerë të kombit tonë.

Së fundi, por jo për nga rëndësia, biseduam edhe për mundësinë  e marrëveshjes së bashkëpunimit me Spitalin Pediatrik “Bambin Gesù”, për trajtimin e rasteve urgjente dhe shërimin e sëmundjeve komplekse të fëmijëve shqiptarë, një tregues i rëndësishëm i marrëdhënieve me Vatikanin.

Unë dua ta falënderoj edhe njëherë Imzot Gallagher për vizitën dhe ta siguroj atë që kjo është një marrëdhënie që Shqipëria dhe shqiptarët e çmojnë vërtet shumë dhe ne do të punojmë me të gjithë mundësitë tona për ta thelluar dhe avancuar më tej”- shkruan ministrja Xhaçka.