I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriell Eskobar, tha se pret takim produktiv në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nesër. “Jam shumë optimist për një zgjidhje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Escobar.
Ai, mes tjerash tha se “SHBA-ja si mbështetësja më e madhe e Kosovës në botë, ka për qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën dhe rajonin, që të zhbllokohen burimet që Ballkani ia siguron vetes”. Escobar këto komente i bëri në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës së tij në Prishtinë. Presidentja Osmani tha se Kosova shkon drejt Ohrit me mendësinë se një “marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ku trajtohemi si dy shtete të barabarta, është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në rajon”.
Ne kemi për qëllim të mbështesim çdo rezultat që sjell më afër paqen e rajonit dhe intensifikon mundësitë për Kosovën dhe Serbinë, si dhe gjithë rajonin, që të bëhen anëtarë të plotë të komunitetit euro-atlantik. Mendojmë që ky propozim evropian, i lehtësuar përmes dialogut të BE-së, jep një mundësi të jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme mes dy vendeve”, tha Gabriel Eskobar, i dërguar i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor.
“Pritjet e mia, si presidente e Kosovës, janë që marrëveshja do të sjellë rezultate konkrete të prekshme për Kosovën. Rrjedhimisht, do të sigurojë integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike, do të sigurojë integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb në institucionet e Republikës. Kjo do të rezultojë me shpërbërjen efektive të menjëhershme të të gjitha strukturave ilegale të Serbisë”, u shpreh Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.