Në Gjykatën Penale në Shkup sot ishte dashur të vazhdonte shqyrtimi i rastit në të cilin akuzohet ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Muhamed Zeqiri, por seanca gjyqësore sërish u shty, kësaj radhe për një kohë të pacaktuar, për shkak të problemeve shëndetësore të ish-zyrtarit.
Seanca e fundit është shtyrë për shkak se Zeqiri, sipas mjekëve, nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Gjyqi drejtohet nga gjyqtarja Fanka Jançuleva – Mihaillovska. E njejta gjykatëse aktualisht po gjykon edhe ish-sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski.
Gjykata Themelore Penale – Shkup ka njoftuar se nuk do të mbahet gjykimi për rastin në të cilin është në gjykim ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Muhamed Zeqiri. Është e paqartë se kur do të vazhdojë e njëjta gjë dhe kjo do të varet nga gjendja shëndetësore e Zeqirit.
“Për shkak të interesimit të mediave dhe organizatave joqeveritare që ndjekin seancën kryesore për rastin me KOK nr. 193/22, njoftojmë publikun se seanca e caktuar për datën 13.03.2023 do të shtyhet. Gjegjësisht, në gjykatë është dorëzuar ekspertiza e re e ekspertit – psikiatër, sipas të cilit, për të stabilizuar më tej gjendjen mendore të të akuzuarit M.Z., rekomandohet shtyrja e gjykimeve për tri deri në katër javët e ardhshme. Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për çështje shëndetësore, shqyrtimi do të shtyhet dhe seanca kryesore do të caktohet në koordinim me palët tjera në procedurë, si dhe në përputhje me rekomandimin e ekspertit, për të cilin publiku do të njoftohet më tutje”, njoftojnë nga Gjykata Themelore Penale në Shkup.
Sipas aktakuzës, Zeqiri si Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë ka lidhur privatisht kontrata për shërbime konsulente për analizën e gjendjes në postë dhe hekurudha. Konkretisht ai akuzohet se ka dëmtuar buxhetin e shtetit me mbi një milion euro.