AKTUALE

Ramiz Merko uron 8 Marsin,le të bashkohemi të gjith për të ndihmuar njëri tjetrin

Një mesazh me lule për 8 Marsin!

Të nderuara zonja,
Kjo datë, 8 Mars, është Dita Ndërkombëtare e Gruas, ditë kur përkujtohen dhe festohen arritjet e të gjitha grave në botë, në shumë sfera të ndryshme të jetës së përditshme, por më veçanërisht për ta theksuar luftën për barazi dhe drejtësi, kundër diskriminimit gjinor etnik, politik, shoqëror e kulturor dhe kundër dhunës që ushtrohet ndaj grave.

Kjo ditë është një rast për të reflektuar mbi sfidat që gratë ende kanë përballë vetes së tyre në shoqërinë tonë dhe për të nxitur ndryshime pozitive, të cilat duhet të ndikojnë, të paktën, për të arritur barazi në punë dhe në paga, në ndarjen e barabartë të detyrave në shtëpi dhe në familje, apo për kushte më të mira në arsim, shkencë dhe shëndetësi.

Në këtë ditë të veçantë, por jo vetëm sot, të gjitha gratë duhet të inkurajohen të flasin në mënyrë të hapur dhe të ndjehen të dëgjuara, por njëkohesisht të jenë të vetëdijshme edhe për të drejtat dhe detyrimet e tyre dhe të kërkojnë t’i përmbushin ato. Sigurisht, rol shumë të rëndësishëm duhet të luajnë edhe burrat, të cilët duhet të angazhohen në një fushatë të tillë dhe të jenë pjesë e luftës për barazi gjinore. Lufta e tillë nuk duhet të ndalojë kurrë, sepse për të krijuar një shoqëri të drejtë dhe të barabartë, të gjithë ne duhet të punojmë së bashku dhe të angazhohemi fuqimisht dhe pozitivisht në drejtim të ndryshimit të gjërave.

Përfshirja e grave në politikë, shkencë, teknologji, kulturë, art dhe në sport, edhe njëherë dëshmon se ato janë fuqi e pashoqtë në ndërtimin e një bote më të mirë. Megjithatë, sot ka shumë sfida që duhet të kapërcehen, sepse ende në sferën e diskriminimit gjinor dhe dhunës kundër grave bëhet shumë pak punë apo ndërmerren aktivitete të pamjaftueshme. Mbetet detyrë e jona të punojmë bashkë për të krijuar një shoqëri, e cila nuk do të tolerojë më sjellje të tilla.

Le të festojmë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas duke i ndihmuar ato në rrugën e realizimit të qëllimeve dhe ëndrrave të tyre. Ne e pranojmë dhe e përqafojmë kontributin e grave në punën e tyre të përditshme dhe i nxisim gratë të vazhdojnë të ndikojnë pozitivisht në botën reale me talentin dhe aftësitë e tyre të shkëlqyera.

Unë dua të theksoj se edhe shoqëria strugane, pa dallime etnike dhe fetare, duhet të krenohet me forcën e gruas, sepse ajo sot merr përsipër të udhëheqë me funksione të larta politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore, sepse ajo është kryetare e këshillit komunal, është këshilltare, udhëheqëse në administratën komunale, drejtoreshë dhe edukatore e çerdheve të fëmijëve apo drejtoreshe e shkollës fillore dhe të mesme, ajo është drejtoreshë e ndërmarrjes publike, është drejtoreshë në biznes, mjeke në spital, mësuese dhe arsimtare, artiste dhe sportiste, aktiviste e të drejtave, gazetare, shkrimtare dhe poete, profesioniste në teknologji informatike, defektologe dhe logopede, pastruese, shitëse në tregun e gjelbër, kontabiliste, recepsioniste, fotografe, kuzhiniere, juriste dhe ekonomiste, avokate, gjykatëse e prokurore, arkitekte, police, inspektore, inxhiniere, violiniste e pianiste, aktore, valltare dhe këngëtare, rrobaqepëse e dizenjuese, nxënëse, studedente, e diplomuar, magjistre dhe doktoreshë e shkencave, ajo është gjyshe dhe nënë, bashkëshorte dhe motër, vajzë, shoqe. Mbi të gjitha, ajo është zonjë!

Në këtë ditë, ne i urojmë të gjitha gratë për fuqinë dhe rezistencën e tyre ndaj sfidave të jetës, si dhe për kontributin e tyre në familje dhe komunitet. Ne duhet të pranojmë dhe të ndërtojmë një shoqëri të ndershme dhe të barabartë për të gjitha gratë, pa dallime.

Unë plotësisht i bashkëngjitem zërit tuaj për ta ndryshuar kulturën dhe normat që diskriminojnë, nënçmojnë dhe që e ulin vlerën e grave në shoqëri. Le të bashkohemi për ta ndihmuar njëri-tjetrin edhe si bashkëshortë, prindër, miq dhe kolegë për të ndërtuar një botë më të drejtë dhe më të barabartë për të gjitha gratë.

Ju dëshiroj shëndet të plotë, shumë lumturi, suksese në jetë dhe profesion, përplot dashuri dhe guxim për ndryshim!

Gëzuar 8 Marsi!…

Me respekt,
Kryetari i Komunës së Strugës
d-r Ramis Merko


Related posts

Dreshaj: Qeveria e Kosovës ka dështuar në rrafshin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar

admin

Gashi për largimin e Frontit nga Kuvendi: Dora ime do të jetë e shtrirë për të gjitha partitë!

Gjyla Halili

Fermerët çekë bllokojnë Pragën

Gjyla Halili

Leave a Comment