AKTUALE

Bisedë me shkas për Ditën e 7 Marsit me prof. Avzi Mustafën: Sivjet, një Leksikon kushtuar pishtarëve të arsimit në Maqedoni

Pikërisht data e sotme, 7 Marsi sjell në kujtimet e secilit prej nesh mësuesin ose mësuesen e parë, teksa nderojmë sakrificën e gjithë pishtarëve të arsimit shqip të cilët na mundësuan të shkruajmë dhe të lexojmë në gjuhën tonë. Mu për këtë zhvilluam një bisedë me prof.dr.Avzi Mustafën, ish-ligjërues në Katedën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Shkup, i cili është i njohur për kontributin e tij madhor në edukimin e brezave të rinj, autorë i shumë teksteve shkollore, bashkautor në shumë botime si dhe pjesëmarrës në dhjetëra projekte për gjuhën shqipe, reformat në arsim si dhe idetë inovative të mësimdhënies. Karriera e prof. Avziut po ashtu është e nderuar dhe me shumë mirënjohje dhe çmime të larta nga institucionet vendore si dhe organizatat ndërkombëtare.

Me rastin e kësaj dite, në rubrikën e intervistës do të sjellim një bisedë me shkas të vërtetë me prof.dr. Avzi Mustafën, sepse ai sivjet rrumbullakon një projekt shumëvjeçar kushtuar arsimit në Maqedoni, të cilit i ka vënë titull “Leksikoni për mësuesit veteranë shqiptarë”, por që gjer në finalizim, mund të marrë ndonjë tjetër, të ngjashëm.

-Profesor, gjithë jetën ia keni kushtuar edukimit të gjeneratave, por kësaj radhe, misioni juaj në arsim tashmë mund të themi se po vjen në një formë më ndryshe sepse jeni në përgatitje të një “Leksikoni për mësuesit shqiptarë”, na tregoni si erdhi ideja, dhe sa është e vështirë procedura e mbledhjes dhe klasifikimit të materialeve?

-Gjithë ideja lidhet me një mendim të të madhit Madhit E. Çabej, i cili për rolin e mësuesit ka thënë: “Në punën e ndërtimit mendor të popullit e të ngritjes kulturore të tij mësuesve- arsimtarëve shqiptarë u bie një pjesë e madhe. Ata kanë përmbushur kurdoherë e me një mënyrë të heshtur, thuajse anonime, detyrën e formimit të brezave të rinj. Këtë detyrë të lartë, po të rëndë, ata e kanë kryer me frymë vetëmohimi, shpesh herë në kushte të vështira…. bile me sakrifica shumëllojshme”.

I hyra kësaj pune nga dëshira ime personale, për të portretizuar ata të shenjtit , misionarët që rrezatonin dituri e humanizëm. Ata që lanë gjurmët jo vetëm në historinë e arsimit shqip, por edhe veprat e tyre, që janë nxënësit e tyre u përjetësuan. Mësuesit e dashur në jetën e tyre dhe në mision e tyre ishin të pa lodhur dhe pa kërkesa individuale, por pasiononte në edukimin e brezave të tërë, që falë forcës së karakterit, pjekurisë intelektuale dhe vullnetit këmbëngulës të tyre, fytyra e mësuesit u kthye në simbol të atdhedashurisë, dijetarit dhe përçuesit më të shënjuar të vlerave njerëzore e shpirtërore. Ata të cilët na mësuan e na edukuan si ta duam atdheun e popullin tonë, për të shërbyer si misionarë të dijes e të kulturës edhe në fshatrat më të thella, sipas shembullit të mësuesve të Normales së Elbasanit, Normales së Prishtinës, Normales se Tetovë-Shkupit, që shërbyen në të gjitha skajet e largëta të atdheut në vendet ku flitej gjuha e bekuar shqipe, e meritojnë respektin tonë më të madh.

Puna ime në këtë Leksikon është të vlerësoj jo vetëm vetëmohimin e heshtur të mësuesve nëpër dekadave, por edhe sakrificat e tyre të llojllojshme.

-Çfarë pritet të përmbajë ky Leksikon, mund të ndajmë ndonjë detaj?

-Kuadri kohor i këtij leksikoni kap vitet shkollore 1940/41-1969/70. Ato vite ku ndërtohej me shumë sakrifica arsimi shqip në Maqedoni. Përveç biografive të çdo mësuesi-arsimtari kam shënuar edhe kohëzgjatjen e shërbimit në shkollë, transferimet prej një shkolle në një shkollë tjetër, largimet e diferencimet politike të tyre si dhe kontributin e tyre në ngritjen kulturore e arsimore, duke përdor të gjitha format e mundshme për ngritjen arsimore e kulturore në të gjitha vendbanimet ku zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe. Në këtë periudhë kohore kanë punuar një armatë e madhe e mësuesve në shkollimin fillor dhe që të mund t’i përfshish të gjithë, është e pamundur objektivisht dhe le për të dëshiruar, por pjesën më të madhe të tyre janë përfshirë besoj se i kam përfshirë. Nuk e kam pas ndërmend të shkruaj histori, por biografi sepse siç thonë se “ajo është histori pa teori”, se kur kush nuk mund që të thotë se nuk janë ata të cilët e vaditën jetën me djersën, por edhe me vuajtje e me gjak nëpër kazamatet e Maqedonisë e të Jugosllavisë. Njohja e jetës së tyre dhe puna e tyre e pa lodhur na dërgon që ata të përjetësohen si figura atdhetare dhe mbrojtjes së gjuhës shqipe. Jam plotësisht i vetëdijshëm se ky projekt ka lëshime sidomos mungesa në të dhëna.

-A keni pasur problem në mbledhjen e materialit kaq të gjerë dhe përmbajtësor?

Problem më i madh ishte mbledhja e të dhënave, por megjithatë arrita që të mbledh pjesën më të madhe nëpërmjet botimeve dhe monografive të ndryshme, bisedave me të afërmit e tyre, kërkimet nëpër arkiva shkollore, arkivat e qyteteve, fondi pensional etj. Kriteri themelor i këtij leksikoni ka pasur për qëllim që të prezantojë të dhëna biografike, duke prezantuar vendin e lindjes, shkollimin , lëvizjen në punë deri në pensionim apo kalim në një punë tjetër. Radhitja është bërë sipas emërimit dhe mbiemrit të mësuesit, por në leksikon mbiemri e përcakton renditjen e tyre.

–Kur pritet botimi i Leksikonit, duke marrë parasysh materien e gjerë, sigurisht do të kushtojë shumë?

LEKSIKONI I MESUESVE VETERANË NË MAQEDONI (1941-1971), pritet të dalë kah fundi i vitit 2023 nëse do të mund të sigurohen mjete për dhe nëse gjithçka do të shkojë si duhet. Këtu do të kisha apeluar te institucionet tona shtetërore të sferës së kulturës dhe arsimit, por dhe të kompanive tona që ta përkrahin atë, sepse është një botim voluminoz dhe i shtrenjtë dhe kaq gjithëpërfshirës.

Related posts

Analistët: Talat Xhaferi hap rrugën për një kryeministër me mandat të plotë!

Gjyla Halili

Dialog social në Kumanovë, rritjen e interesimit për shkollat profesionale

admin

Fronti Europian: Opozita shqiptare të mos pengojë qëllimisht aktivitetet parazgjedhore dhe të respekton parimet demokratike

Gjyla Halili

Leave a Comment