Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk, kampion bote në peshën e rëndë (WBA, WBO, IBF), ka këmbëngulur se ai dhe kampioni tjetër i këtij Divizioni, britaniku Tyson Fury (WBC), duhet të përballen me çdo kusht për të unifikuar titujt kampionë. Negociatat për një duel mes tyre kanë kohë që vazhdojnë, por nuk ka asgjë konkrete.
Ata po planifikojnë një përballje që mund të zhvillohet në fund të prillit në stadiumin “Wembley”, në Londër. Usyk arriti t’i fitojë të dyja përballjet ndaj një tjetër britaniku, Anthony Joshua, por përballë Fury ai duhet të përdorë taktika të tjera boksimi.
“Unë kam nevojë për këtë sfidë dhe kaq. Mendoj se edhe Tyson ka nevojë për këtë përballje me mua. Kjo luftë është shumë e rëndësishme për të dy ne. Të katër rripat nuk janë mbajtur nga një person prej shumë vitesh, ndaj ne mund të shkruajmë historinë. Ndaj them se të dy ne kemi nevojë për këtë sfidë”, u shpreh Usyk.
“Nuk ka pasur një kampion të padiskutueshëm botëror në kategorinë e peshave të rënda që nga vitit 2001, me Lennox Lewis. Ukrainasi pranoi se ndaj Fury do të ketë një taktikë tjetër boksimi: “Sigurisht që do të ndryshoj, pasi ai ka një stil tjetër boksimi, Fury është më i guximshëm”.
Megjithatë, boksieri ukrainas nuk trembet nga kjo përballje: “Nuk kam frikë nga Tyson Fury. Kjo do të jetë si çdo sfidë tjetër. Është thjesht një njeri i madh që nuk ka humbur kurrë më parë kundër një njeriu si unë. Nëse një person është më i madh se unë, nuk do të thotë se ai është më i fortë se unë. Nëse ata kanë krahë më të gjatë, nuk do të thotë se do të jetë një avantazh”.