AKTUALE

Azizi: Zgjedhje s’do të ketë, shqiptarët i dhanë karton të kuq BDI-së 4 muaj më parë!

Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi-Azizi, në një intervistë për gazetën LAJM, ka hedhur poshtë zërat për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, bashkë me ato lokale, vitin e ardhshëm.
Sipas saj, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, do t’i kushtonte qytetarëve mbi 10 milion euro.

“Indikacione për zgjedhje të parakohshme nuk ka sepse vlerësojmë se për të mbajtur zgjedhje të parakohshme duhet të harxhohen edhe 10 milion euro shtesë, para nga buxheti, para nga popullata, pra duhet t’i marrim paratë e qytetarëve për të realizuar zgjedhje të cilat i kishim para 4 muajve. Është e palogjikshme të mbajmë sërish zgjedhje. Në vend që ato para t’i shfrytëzojmë për investime, ndërtimin e shkollave, sallave sportive, për ndërtimin e infrastrukturës rrugore që është lënë pas dore, ne po flasim për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, u shpreh zonja Latifi-Azizi për gazetën LAJM.

Sipas saj, Qeveria e RMV-së asnjëherë nuk ka qenë më stabile.

“Këtë e flasin numrat që i kemi në Parlamentin e Maqedonisë, kemi 78 deputetë. Kjo shumicë ka indikacione që të rritet në të ardhmen. Ata që po flasin për zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut është BDI-ja, partia e cila vetëm katër muajve u delegjitimua nga vota e shqiptarëve dhe shkoi në opozitë”, u shpreh Latifi-Azizi.
Zëdhënësja e Qeverisë, tha se partia që tani është më e zëshme në kërkesën për zgjedhje të parakohshme, BDI-ja, vetëm para katër muajve mori karton të kuq nga shqiptarët, në zgjedhje.

“Tani dëgjoj deklarata se thonë se le të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, nëse humbin do të shkojmë në shtëpi. Por, ata vetëm para 4 muajve kanë humbur dhe shkuan në shtëpi. Është mirë tani të qëndrojnë aty ku i ka dërguar populli, ashtu si ata i dhanë mijëra pasaporta të rinjëve, të rejave, nënave, baballarëve për të marrë rrugën e kurbetit, po të njejtën mënyrë popullata shqiptare u dha kartonin e kuq dhe u ulën në tribunën për të shikuar si udhëheqet shteti. Nëse BDI dëshiron aq shumë të mbajë zgjedhje parlamentare, ekzistojnë mekanizma politikë, është parlamenti, le të bëjnë kërkesë për shpërndarjen e parlamentit dhe do të shohim, si do të kalojnë me numra aty”, u shpreh Latifi-Azizi.

Intervistën e plotë me zëdhënësen e Qeverisë, Venera Latifi-Azizi, mund ta ndiqni në videon më poshtë.

Related posts

Taravari: Jam në dijeni për largimin nga jeta të bebes 14 muajshe. Rasti më ka prekur shumë!

Gjyla Halili

“LAHUTA E MALCIS”, NË INTERPRETIM TË ARMEND BALOKUT, “SHFAQJE QË TË LË PA FRYMË”

admin

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Gjyla Halili