Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, më 6 mars 2023, e ka shënuar 10-vjetorin veprimtarisë së tij arsimore-shkencore. Në këtë aktivitet morën pjesë personalitete të njohura nga jeta publike, rektorë universitetesh, hulumtues shkencorë, veprimtarë të arsimit nga Kosova dhe me gjerë. Universiteti i Tetovës në këtë ngjarje është përfaqësuar nga Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti. Ai në këtë ceremoni i ka uruar drejtuesit e këtij institucioni në 10-vjetorin e themelimit të Universitetit, që e mban me krenari emrin e profesor Fehmi Aganit, njërit ndër intelektualët e shquar të Kosovës.
Në fjalën e tij para auditorit, Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti ka theksuar se të gjitha institucionet arsimore dhe kulturore të Kosovës, mbajnë vulën intelektuale dhe profesionale të profesor Fehmi Aganit, i cili ishte bashkëthemelues i institucioneve bazike arsimore të Kosovës si, Instituti Albanologjik, Universiteti i Prishtinës me fakultetet përkatës, si dhe themelues i Katedrës së Filozofi-Sociologjisë.
“Si një njeri i lidhur ngushtë me idealin e një Kosove të lirë dhe të pavarur, dhe një prej pionierëve të lëvizjes për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, ka qenë iniciator dhe përkrahës i lëvizjeve politike për çlirimin e Kosovës, që nga debatet për republikën, Kushtetutën e vitit 1974 e deri te themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Një mbështetës i madh i pluralizmit politik, i cili lëvizjen politike e nxori nga paqartësitë e ilegalitetit dhe e bëri lëvizje properëndimore, që kulmoi me Pavarësinë e Kosovës. Por, një fjalë e urtë popullore thotë: “Armiku nuk fle”, ndaj Fehmi Aganit iu bë atentat politik, por emri dhe kontributi i tij u përjetësua në kujtesën tonë, duke na lënë pas një trashëgimi të madhe në fushën e arsimit të lartë dhe politikës”, deklaroi Rektori i UT-së.
Referuar themelimit të Universitetit të Tetovës, në vitin 1994, ai veçoi se UT u ngrit si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta, vendosmërisë së fuqishme të intelektualëve shqiptarë nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria, për t’i hedhur bazat e arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, në ato treva me tradita arsimdashëse dhe patriotike, ku si askund tjetër në botë, arsimi në gjuhën amtare, sidomos arsimi universitar për dekada të tëra ishte i ndaluar. “Duke hedhur një vështrim pas në histori, duke parë rrugëtimin e gjatë, pikënisjet dhe aty ku kemi mbërritur, ndihem krenar për faktin se sot, edhe pas tejkalimit të sfidave ekzistenciale vazhdojmë të bashkëpunojmë fuqishëm mes vete, fakt i cili dëshmohet edhe nga bashkëpunimi mes dy universiteteve tona, bashkëpunim me një traditë të gjatë, i konkretizuar me nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi që prej viteve të para të themelimit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, i cili përbën një partneritet të rëndësishëm në fushën e arsimit të lartë mes dy universiteteve të shqiptarëve, por edhe në rajon.
Duke synuar në përmirësimin e shkëmbimeve të studentëve dhe të stafit akademik në zhvillimin e projekteve bashkëpunuese në fushat e kërkimit shkencor, punojmë të jemi një shembull i mirë bashkëpunimit vëllazëror e rajonal, për ta ngritur arsimin shqiptar në nivelet më të larta”, u shpreh Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Rektor i UT-së.
Në përmbyllje të fjalës së tij, ai nënvijëzoi se arsimi ka rolin kryesor në zhvillimin e kombeve, vlerave kulturore dhe historike, ndaj sot, ne përkulemi me respekt në shenjë nderimi për të gjithë ata që me përpjekjet e tyre realizuan ngritjen e këtij tempulli që ka për mision arsimimin, edukimin, emancipimin shoqëror, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e Republikës së Kosovës. Në këtë përvjetor të Universitetit “Femi Agani”, ish-Komandantit Suprem të NATO-s, Wesley K. Clark, iu nda titulli doktor nderi i shkencave “Doctor Honoris Causa”. Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Fehmi Agani” nga Gjakova, kohë më parë kanë nënshkruar
marrëveshje bashkëpunimi, në kuadër të së cilës kanë realizuar disa projekte të përbashkëta në lëmin e kërkimeve shkencore, por edhe në veprimtari të tjera me interes të ndërsjellë.