Drita ka shënuar fitore ndaj Llapit me rezultat 2:0 për të mbajtur hapin me Ballkanin në luftë për titullin e kampionit.
Pjesa e parë përfundoi pa gola, megjithëse vendasit patën më shumë nga loja, duke krijuar disa raste me Baftiun, Ajzerajn e Tahirin, por pa arritur cakun.
Në anën tjetër mysafirët rrezikuan me Prognin e Alidemën, por pa arritur të tundin portën e vendasve.
Pjesa e dytë nisi më mirë për vendasit dhe në minutën e 47-të kaluan në epërsi 1-0.
Një harkim i bukur në zonë nga Ilir Blaçori bëri që Kushtrim Shabani i mysafirëve ta dërgonte gabimisht topin në portën e tij duke i dhënë epërsinë skuadrës gjilanase.
Llapi kishte disa raste të mira në fund të ndeshjes, por për pak sa nuk barazuan rezultatin.
Gjithsesi për rezultatin përfundimtar u përkujdes Almir Ajzeraj që realizoi për 2-0 në minutën e 92-të.
Drita vazhdon të mbetet në pozitën e dytë me 47 pikë, derisa Llapi mbetet në pozitën e pestë me 29 sosh.
Në xhiron e ardhshme Drita do të përballet në derbin e javës në udhëtim te Ballkani, derisa Llapi luan sërish në udhëtim ku përballet me Ferizajn.