SHOWBIZ

Dhjetra ‘hipopotamë kokaine’ të Pablo Escobar do të dërgohen nga Kolumbia në kopshtet zoologjike të Indisë (fotot)

Vetëm katër bisha ekzotike ishin importuar fillimisht ilegalisht nga krye-trafikanti për të vegjetuar në brigjet e lumit Magdalena në Kolumbi, por tani ato janë më shumë se 100 dhe duhet të eliminohen ose largohen për të mos shkatërruar botën e egër që gjejnë përreth.

Por tashmë 72 prej atyre që njihen si “hipopotamët e kokainës” së trafikantit famëkeq Pablo Escobar do të dërgohen në kopshtet zoologjike ose rezervatët e Indisë, të Ekuadorit dhe Meksikës.

Escobar kishte importuar ilegalisht hipopotamët për të krijuar botën e tij private të kafshëve të egra në fermën e tij Hacienda Napoles.

Zyrtarët i quajnë specie të tilla “invazive” pasi hipopotamët kanë pasoja të rënda në jetën natyrale vendase duke shkatërruar bimësinë dhe sistemet ujore me masën e tyre.

72 nga bishat gati 3-tonëshe do të joshen me ushqim brenda konteinerëve e më pas do të transportohen drejt aeroportit të Rionegro, një qytet i vogël në Andet e Kolumbisë.

60 nga hipopotamët do të dërgohen në parkun natyror të rehabilitimit të Gujarat, Indi.

10 të tjerë do të dërgohen në kopshte zoologjike dhe rezervate në Meksikë, ndërsa dy të tjerë pritet të dërgohen në Ekuador, shkruan rrjeti DW.

Zyrtarët në Antioquia, një nga 32 departamentet e Kolumbisë thonë se plani është përpunuar prej një viti.

Ekspertët thonë se kafshët kërcënojnë ekosistemin vendas duke ndotur ujin dhe dëmtuar popullatën e peshqve.

Ata mund të jenë gjithashtu të rrezikshëm teksa një fermer denonconte në 2021 se teksa ishte duke peshkuar në një liqen u sulmua nga një femër rinoceront dhe u detyrua të largohej.

“Nëse do të donte, mund të më kishte shtypur,” tha fermeri.