Me kostume në ngjyra të forta e maska që imitonin evropianët me mjekër e me sy blu, dashamirësit e karnavaleve në Meksikë vinin në lojë kolonizatorët me format e tyre artistike.
Celebrimet shumëngjyrëshe dallonin nga shumë karnavale në Amerikën Latine duke rindezur antipatinë ndaj të huajve, teksa si çdo vit burrat me maska vallëzonin në rrugët e Taxcala, 120 kilometra në lindje të kryeqytetit Mexico City.
“Origjina e festivalit Taxcala është interesante sepse vë në lojë pushtuesit spanjollë e francezë, veçanërisht zakonet e sjelljen e tyre, që për vendasit është shumë femërore në kontrast me realitetin këtu”, tha guida turistike Eduardo Cuatle.
“Sot tradita e talljes po zhvendoset te politikanët, siç ishte më herët tallja ndaj spanjollëve e francezëve. Maska përfaqëson fytyrat e francezëve”, tha kërcimtari Oscar Garcia Flores.
Mes kërcimeve tradicionale të performuara ishin “cuadrillas”, “danceros” “virginias” dhe “la marcha”.
Garcia shtonte se “marcha” është në fakt një kombinim i dy kulturave, asaj meksikane dhe franceze.
Artisti indigjen Ricardo Molina tha se prodhimi maskave karakteristike të drurit ishte një traditë e disa dekadave në vend.
“Është një proces shumë intensiv. Këtë trashëgimi të punimit të druri e kemi ruajtur si një sfidë. Ndërsa ironia vjen sepse kur u pushtuam ata mbanin festa të mëdha me muzikë e vallëzime dhe ne vendasit nuk mund të hynim”.
“Por dikush nga ne kishte qenë fshehurazi dhe memorizoi muzikën, kostumet me të cilat ne zbavitemi sot”.
Top Channel