Deputeti Flamur Noka, i përjashtuar nga kjo seancë plenare tha se Garda po përdoret nga maxhoranca për të dhunuar deputetët demokratë.
Sipas tij, ngjarja e ndodhur në mëngjes para Parlamentit është e turpshme.
Flamur Noka: Qytetarë të lirë, këtu është parlamenti real. Këtu janë njerëzit e lirë, ata që kanë votuar përfaqësuesit e tyre, dhe ne si përfaqësues tuaj jemi sot këtu për të zhvilluar këtë seancë për të na dëgjuar ju, për të dëgjuar çdo qytetar i këtij vendi. E patë skenën. Një skenë e turpshme. Garda përdoret për të dhunuar deputetët, përdoret për të ndaluar deputetët e opozitës të hyjnë aty që t’ju përfaqësojnë ju. Të përfaqësojnë demokratët. Të përfaqësojnë 750 mijë vota të opozitës.
Edi Rama urdhëron bllokimin e Kuvendit, bllokon zërin e opozitës, sepse Edi Rama ka frikë nga e vërteta. Sepse Edi Rama është i kapur peng. Është i kapur në flagrancë, duke minuar demokracinë në Shqipëri. Çfarë po kërkojmë ne në fund të fundit në këtë parlament? Po kërkojmë të drejtën për të folur. Një e drejtë që është fituar në dhjetorin e vitit 90. Ne po kërkojmë që të përcjellim zërin tuaj aty, dhe ky zë ndalohet. E patë. E keni parë gjithmonë, e patë edhe sot. Sapo përmendet emri i Edi Ramës nga deputetët e opozitës, Linda e parlamentit s’bën asgjë më shumë vetëm menjëherë e ndërpret fjalën. Ku është thelbi i këtij poshtërimi që Edi Rama po i bën parlamentit dhe parlamentarizmit? Thelbi është, sepse ai u kap. U kap me një veprim kundër partnerit tonë strategjik.
Skandali Rama-McGonigal është skandali më i madh. Është gjesti më anti-amerikan që mund të kishte realizuar një qeveri që pas prishjes së marrëdhënieve me SHBA nga Enver Hoxha. Pra, pas Enver Hoxhës, Edi Rama është anti-amerikani më i madh që ka njohur historia, dhe kjo sot është e vërtetuar. Edi Rama është anti-amerikan, sepse Edi Rama goditi në zemër sigurinë e SHBA, duke korruptuar një nga zyrtarët më të lartë të agjencisë së sigurisë të FBI. Edi Rama është anti-amerikani më i madh që ka njohur ky vend pas Enver Hoxhës. E shikoni si e ka katandisur parlamentin Edi Rama? Sa herë që deputetët e opozitës përmendin emrin e tij, Linda e parlamentit me vrap me alarm alarmohet për të bllokuar fjalën dhe për të mos sulmuar kryeministrin. Siç e thashë, kryeministri i sotëm pas diktatorit Enver Hoxha është anti-amerikani më i madh që ka njohur kombi shqiptar.
Top Channel