Mijëra njerëz janë ofruar të adoptojnë vajzën e cila lindi nën rrënojat e një ndërtese të shembur në veriperëndim të Sirisë, pas tërmetit të së hënës. Nëna, babai dhe të 4 vëllezërit e motrat e saj vdiqën pasi tërmeti goditi qytetin e Jidayris, ndërsa vajza e vogël, Aya tani është në spital.
“Ajo mbërriti në një gjendje të keqe. Kishte gunga, mavijosje. Ishte e ftohtë dhe mezi merrte frymë”, – tha Hani Marouf, pediatri që kujdeset për të.
Videot e shpëtimit të Aya u bënë virale në rrjetet sociale. Pamjet treguan një burrë duke vrapuar mbi rrënojat e një ndërtese, duke mbajtur një foshnjë të mbuluar nga pluhuri.
Khalil al-Suwadi, një i afërm, i cili ishte atje kur ajo u nxor nga rrënojat, e solli të porsalindurën te Dr. Marouf në qytetin sirian të Afrinit. Mijëra njerëz në rrjetet sociale kanë kërkuar detaje për ta adoptuar.
“Do të doja ta birësoja dhe t’i jepja një jetë të denjë”, – thotë një person. Një prezantuese televizive kuvajtiane ka shkruar: “Unë jam gati të kujdesem dhe ta birësoj këtë fëmijë… nëse procedurat ligjore më lejojnë”.
Menaxheri i spitalit, Khalid Attiah, thotë se ka marrë dhjetëra telefonata nga njerëz në mbarë botën që duan të birësojnë fëmijën Aya.
Dr. Attiah, i cili ka vetë një vajzë vetëm 4 muaj thotë se: “Unë nuk do të lejoj askënd ta birësojë atë tani. Derisa të kthehet familja e saj e largët, unë po e trajtoj atë si një nga të miat“.
Një gazetar atje, Mohammed al-Adnan i tha BBC-së: “Situata është një katastrofë. Ka kaq shumë njerëz nën rrënoja. Ka ende njerëz që nuk i kanë dalë ende”.
Ai vlerësoi se 90% e qytetit ishte shkatërruar dhe shumica e ndihmës deri më tani kishte ardhur nga banorët vendas.
Shpëtimtarët nga organizata “Helmetat e Bardha”, të cilët janë shumë të njohur me nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat për më shumë se një dekadë gjatë luftës civile në Siri, janë të vetmit që po japin ndihmë në Jidayris.
“Shpëtimtarët mund të përfundojnë si viktima për shkak të paqëndrueshmërisë së ndërtesave”, tha Mohammed al-Kamel, raporton BBC.
“Sapo kemi nxjerrë 3 trupa nga këto rrënoja dhe mendojmë se ka një familje atje që është ende gjallë. Do të vazhdojmë të punojmë”, tha ai.
Në Siri, janë raportuar më shumë se 3 mijë të vdekur pas tërmetit. Kjo shifër nuk përfshin ata që kanë vdekur në zonat e kontrolluara nga opozita të vendit.