Një kapitull tjetër ka nisur në Kombëtaren shqiptare me uljen në stol të trajnerit të ri Sylvinho.
Braziliani mund të marrë në konsideratë disa futbollistë, të cilët nuk janë preferuar nga paraardhësi i tij, Eduardo Reja.
Trajneri italian që qëndroi prej tri vitesh e gjysmë në krye të pankinës, mes zgjedhjeve të tij, ato që mungonin ishin edhe për dy mesfushorët, Anis Mehmeti dhe Eduard Rroca, të cilët nuk u grumbulluan asnjëherë dhe kjo thjesht për një zgjedhje personale të Rejës, i cili nuk i preferonte si lojtarë dhe nuk u dërgoi asnjëherë ftesë, shkruan Panorama.
Ndërkohë, nuk është çudi që Silvinjo, i cili ka nisur prej afro një muaji nga puna, duke ndjekur nga afër të gjithë futbollistët shqiptarë që luajnë në arenën ndërkombëtare, ka ndjekur gjithashtu edhe ndeshjet e Istanbulsporit dhe mund të ketë edhe një ftesë për Rrocën, gjithmonë nëse ai është në planet e trajnerit. Situata mund të ndryshojë edhe për Anis Mehmetin.
Ndërsa aktivizohej në Kategorinë e Tretë angleze, ku shkëlqeu në gjysmën e parë të sezonit, mesfushori bëri një hap të rëndësishëm në karrierë, duke u transferuar te Bristol City, një nivel më lart në kampionat dhe gjithashtu i dërgon një mesazh edhe stafit të ri të ekipit kombëtar që ta ketë në konsideratë për në vazhdim.