Shkup, 6 shkurt – Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi i shoqëruar nga ministri i Financave z. Fatmir Besimi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve z. Blagoj Boçvarski si dhe drejtori i Ndërmarrjes për Rrugë Shtetërore z. Ejup Rustemi, kanë pritur sot në takim përfaqësuesit e konzorciumit ndërkombëtar Bechtel Enka si dhe kompanisë që do të mbikëqyre procesin e ndërtimit të këtij projekti, IRD.
Takimi i sotëm vjen pas mbledhjes së Komitetit për negociata për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10 D dhe Vendimit të Qeverisë me të cilin e ka obliguar Komitetin për negociata për implementimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D, e cila njëkohësisht është edhe konsulent ligjor i Qeverisë për negocimin e kontratës.
Qeveria, javën e kaluar miratoi konkluzionin e propozuar nga Komiteti për negociata, se janë plotësuar të gjitha parakushtet për fillimin e negociatave dhe formimin e grupeve të punës mes Bechtel Enka dhe IRD, negociata të cilat do të zgjasin 21 ditë.
Realizimi i këtij investimi kapital do të kontribuojë në modernizimin e infrastrukturës rrugore, e cila në të ardhmen do të mundësojë zhvillim shtesë të shërbimeve, kushte më të mira për zhvillimin e biznesit, por edhe kushte të sigurta për lëvizjen e njerëzve.