Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Faton Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj cilësimit të universiteteve shqiptare si “implant”, duke e konsideruar një deklarim të tillë si fyerje ndaj gjuhës shqipe, historisë dhe sakrificës kombëtare të shqiptarëve.
Në reagimin e tij, Ahmeti thekson se është veçanërisht e papranueshme që një gjuhë e tillë të përdoret në Muajin e Alfabetit dhe të Flamurit, periudhë që simbolizon përpjekjet historike të shqiptarëve për ruajtjen e gjuhës, identitetit dhe arsimit kombëtar.
Ai nënvizon se gjuha shqipe nuk është “implant” dhe se universitetet shqiptare nuk janë institucione të huaja, por përfaqësojnë identitetin, dinjitetin dhe krenarinë kombëtare.
Ahmeti ka kritikuar gjithashtu heshtjen e VLEN-it lidhur me këtë çështje, duke e cilësuar atë si bashkëfajësi.
“Gjuha shqipe nuk është implant, universitetet tona nuk janë të huaja. Janë identitet, dinjitet dhe krenari kombëtare!”, thuhet në reagimin e tij.
Reagimi i Ahmetit rikthen në vëmendje rëndësinë e arsimit në gjuhën shqipe dhe debatet mbi respektimin e identitetit gjuhësor e kombëtar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ja postimi plotē:
Në muajin e Alfabetit dhe të Flamurit, universitetet shqiptare të quhen “implant” është fyerje ndaj gjuhës, historisë dhe sakrificës sonë kombëtare.
Heshtja e VLEN-it është bashkëfajësi!
Gjuha shqipe nuk është implant, universitetet tona nuk janë të huaja. Janë identitet, dinjitet dhe krenari kombëtare!
