Në mbledhjen e mbrëmshme të organizatës “Jehona e Malësisë”, anëtarët e bordit propozuan dhe zgjodhën njëzëri znj. Shaqe Berishaj në detyrën e drejtoreshës së Shkollës Shqipe. Ajo pason z. Agron Dedivanaj, i cili paraqiti dorëheqjen për të marrë përsipër, me mandat të bordit, drejtimin e qendrës sociale pranë kishës katolike në Sukruq. Kjo qendër ofron kujdes dhe mbështetje për fëmijët me autizëm dhe për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Formimi akademik i znj. Berishaj ndërthur studimet në shkenca me specializimin në pedagogjinë e arsimit dygjuhësh. Krahas degës kryesore në shkenca, ajo ka përfunduar një degë të dytë në arsimin dygjuhësh dhe në didaktikën e anglishtes si gjuhë e dytë (ESL). Në këtë fushë ka fituar gradën master dhe, pas diplomimit, ka përfunduar studime të mëtejshme me 30 kredite akademike shtesë (Master Plus 30).
Përvoja e saj pedagogjike përfshin mësimdhënien në klasat e treta, të katërta, të gjashta, të shtata dhe të teta, duke i dhënë njohje të drejtpërdrejtë të nevojave mësimore të nxënësve në etapa të ndryshme të zhvillimit të tyre. Angazhimi i saj profesional shtrihet edhe në zhvillimin institucional, përmes pjesëmarrjes në komitetin për përmirësimin e shkollës pranë Shkollës së Mesme Flynn.
Këtij formimi i shtohet një traditë familjare shumëdekadëshe në arsim. Znj. Berishaj vjen nga një familje që prej dekadash i është përkushtuar formimit intelektual dhe edukimit të brezave të rinj. Me veprimtarinë e saj pedagogjike dhe me përgjegjësinë që merr në drejtimin e Shkollës Shqipe, ajo e vijon këtë traditë në shërbim të komunitetit.
Bordi i “Jehonës së Malësisë” i shpreh mirënjohjen z. Agron Dedivanaj për kontributin e tij në drejtimin e shkollës dhe i uron mbarësi në detyrën e re. Znj. Shaqe Berishaj i uron suksese në ushtrimin e mandatit të saj, me bindjen se ekspertiza e saj në arsimin dygjuhësh dhe përvoja në mësimdhënie do të ndihmojnë në përmbushjen e misionit arsimor e kulturor të shkollës, në zhvillimin e kompetencave gjuhësore të nxënësve në shqip dhe në përcjelljen ndër breza të trashëgimisë kulturore shqiptare.
