Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Faton Ahmeti, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip, duke vlerësuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe kontributin e atdhetarëve shqiptarë në unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Në mesazhin e tij, Ahmeti thekson se Kongresi i Manastirit i vitit 1908 përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, pasi shënoi një moment bashkimi rreth gjuhës dhe identitetit kombëtar.
Duke iu referuar vargjeve të poetit Ndre Mjeda, ai rikujton se gjuha shqipe ka qenë dhe mbetet një ndër shtyllat kryesore të unitetit të shqiptarëve.
Ahmeti vlerëson gjithashtu kontributin e figurave të shquara kombëtare, si Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Parashqevi Qiriazi dhe shumë personalitete të tjera, të cilët me vizionin dhe përkushtimin e tyre i dhanë gjuhës shqipe alfabetin e përbashkët.
Ai thekson se ruajtja, kultivimi dhe përcjellja e gjuhës shqipe te brezat e rinj është përgjegjësi e përbashkët dhe një detyrim ndaj historisë dhe identitetit kombëtar.
“Një gjuhë na bashkon, një histori na lidh dhe një identitet na bën krenarë!”, përfundon mesazhi i nënkryetarit të BDI-së, Faton Ahmeti, me rastin e 22 Nëntorit.
Gëzuar Ditën e Alfabetit Shqip! 🇦🇱
Ja postimi i plotë:
Gëzuar 22 Nëntori, Ditën e Alfabetit Shqip!
Sot shënojmë një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Kongresi i Manastirit, i mbajtur në vitin 1908, ishte një moment historik që bashkoi shqiptarët përmes gjuhës dhe alfabetit të përbashkët.
Siç shkruante Ndre Mjeda:
“Geg’ e Toskë, Malci jallia,
Jan’ nji komb, m’u da s’duron;
Fund e majë nji a Shqypnia,
E nji gjuhë t’gjith’ na bashkon.”
Vizioni dhe përkushtimi i atdhetarëve e intelektualëve të asaj kohe, si Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Parashqevi Qiriazi dhe shumë të tjerë, i dhanë gjuhës shqipe alfabetin e përbashkët, duke hedhur themelet e zhvillimit kulturor, arsimor dhe kombëtar.
Në kohë të vështira, shqiptarët gjetën forcën, guximin dhe unitetin për të shkruar historinë. Sot, përgjegjësia jonë është ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta përcjellim gjuhën shqipe brez pas brezi.
Një gjuhë na bashkon, një histori na lidh dhe një identitet na bën krenarë! 🇦🇱
