Mali i Zi synon të vendosë një sistem të verifikimit të investimeve të huaja, i cili do të mundësojë vlerësimin në kohë të rreziqeve për sigurinë dhe rendin publik, duke ruajtur njëkohësisht një ambient të hapur dhe të parashikueshëm investimesh, deklaroi zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.
Ai, në hapjen e punëtorisë për hartimin e kornizës ligjore për verifikimin e investimeve të huaja, paralajmëroi formimin e një grupi punues që do të përgatisë ligjin në përputhje me kornizën ligjore të Bashkimit Evropian.
„Mali i Zi është i hapur për investimet e huaja që kontribuojnë në rritjen e ekonomisë, hapjen e vendeve të reja të punës dhe transferimin e njohurive dhe teknologjive. Përgjegjësia jonë është të ruajmë një mjedis të hapur dhe të parashikueshëm investimesh dhe në të njëjtën kohë të sigurojmë që institucionet kompetente të mund të vlerësojnë me kohë rreziqet që investime të caktuara mund të paraqesin për sigurinë ose rendin publik“, tha Gjeloshaj.
Siç u njoftua nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Qeveria në korrik miratoi Propozimin për vendosjen e një mekanizmi efikas të verifikimit të investimeve të huaja, me të cilin u vendosën bazat e sistemit të ardhshëm.
Gjeloshaj shpjegoi se grupi punues do të ketë për detyrë të përcaktojë saktësisht se cilat investime i nënshtrohen verifikimit, kriteret për vlerësimin e rrezikut dhe kompetencat e institucioneve në secilën fazë të procedurës.
Punëtoria u organizua nga Programi për Zhvillimin e së Drejtës Tregtare (CLDP) i Departamentit të Tregtisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Ajo mblodhi ekspertë nga SHBA-ja dhe Kroacia, si dhe përfaqësues të institucioneve kompetente malazeze.
Pjesëmarrësit shqyrtuan përvojat në vendosjen e sistemeve të verifikimit të investimeve të huaja, me fokus të veçantë në kornizën e re të Bashkimit Evropian, fushëveprimin e verifikimit, kriteret për vlerësimin e rrezikut dhe ndarjen e kompetencave institucionale.
Gjeloshaj falënderoi përfaqësuesit e CLDP-së për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe ekspertët nga SHBA-ja dhe Kroacia për kontributin në përgatitjen e zgjidhjes së ardhshme ligjore.
