AKTUALE

Përtej Vuçiqit dhe rreziku i një Beogradi edhe më radikal

Shkruan: Arben Ratkoceri

Lista e Studentëve që fitoi zgjedhjet në Serbi, bazuar në deklaratat e përfaqësuesve të saj, por edhe në programin që mban ndaj shqiptarëve, sidomos ndaj Kosovës, mund të jetë edhe më e keqe se Vuçiqi dhe aktorët tjerë politikë serb. Duke qenë heterogjene, ajo përmban segmente të caktuara që janë jo vetëm të rëndësishme, por edhe më ekstreme e radikale.

Prandaj, duhet kuptuar se në Serbi, me përjashtime shumë të vogla, urrejtja dhe shovinizmi ndaj shqiptarëve janë të rrënjosura thellë. Ato kultivohen që nga çerdhet e shkollat, ku fëmijët edukohen dhe, në njëfarë mënyre, “obligohen” të besojnë se Kosova është një e drejtë hyjnore e Serbisë, madje se e kanë një detyrim ndaj Zotit për ta pushtuar atë.

Nuk është aspak e rastësishme as armatosja masive e Serbisë gjatë viteve të fundit, e cila në masë të madhe, shihet në kontekstin e përgatitjeve të saj ushtarake ndaj Kosovës, se fqinj tjeter që e konsideron armike nuk ka përveç Kroacisë. Mirëpo, ndaj saj Beogradi nuk sillet me të njëjtën mendjelehtësi, sepse atje përballet me një shtet që po armatoset mirë dhe me kapacitete të konsiderueshme mbrojtëse.

Sipas logjikës së qarqeve te rendesishme serbe, por edhe doktrines shteteterore e kishtare, duhet të jenë të përgatitur, sepse mund të vijë momenti që ata e konsiderojnë historik për ta “rimarrë” Kosovën. Dhe këtë shpresë e mbështesin te kaosi aktual global, por edhe te papërgjegjësia dhe mungesa e seriozitetit të shqiptarëve, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, për t’u përgatitur siç duhet për mbrojtjen.

Fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe që Kosova e ka praninë e NATO-s, nuk duhet të na krijojë iluzione siç na krijonë elitat politike. Në rast të një përplasjeje të madhe botërore, asnjë skenar nuk mund të përjashtohet dhe siguria jonë nuk mund të mbështetet vetëm te supozimi se aleatët do të mund të reagojnë menjëherë e pa pengesa.

Mjafton të shohim Kroacinë, e cila pavarësisht se është anëtare e NATO-s dhe ka aleatë me të fuqishëm perëndimorë se sa ne, vazhdon të investojë në armatim modern dhe të ruajë një ekuilibër ushtarak ndaj Serbisë.

Shqiptarët duhet ta kuptojnë se paqja nuk garantohet vetëm nga deklaratat politike dhe as siguria vetëm nga prania e aleatëve. Ato kërkojnë vigjilencë, përgjegjësi shtetërore, diplomaci të mençur, rirreshtim të duhur, dhe, mbi të gjitha, kapacitete serioze mbrojtëse!

Banner

Related posts

Izet Mexhiti: Sot ndërtojmë rrugë, nesër ndërtojmë gjenerata

Gjyla Halili

Grubi: Heqja e kufirit me Kosovën së shpejti, propozimi ka kaluar në dy Qeveritë

Gjyla Halili

“The Guestkeepers”, një projekt që trajnon “ambasadorët e mikpritjes” në Kosovë

Gjyla Halili