AKTUALE

Luan Veliu: Nuk dorëzohemi, sakrifica e familjeve tona nuk ishte për t’ju bërë juve drejtorë e ministra

Luan Veliu ka reaguar ashpër ndaj, siç shprehet ai, largimeve të shqiptarëve nga puna në institucionet publike, konkretisht të nipit të tij Lavdrim Veliu, djali i heroit të kombit Naser Veliu, duke rikujtuar sakrificat e bëra ndër vite për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve.

Në reagimin e tij, Veliu kritikon drejtuesit institucionalë, të cilët i akuzon se po përdorin pozitat e tyre për të larguar shqiptarët nga vendet e punës. Ai thekson se shqiptarët kanë përballuar burgosje, vrasje, kidnapime dhe kërcënime, por nuk janë dorëzuar.

“Kur na burgosën, ne u betuam. Kur na vranë, ne u bashkuam. Kur na kidnapuan, ne u uniformuam. Dhe fituam! Nuk u dorëzuam!”, thuhet në reagimin e tij.

Veliu paralajmëron se, sipas tij, presionet dhe shantazhet nuk do t’i nënshtrojnë ata që kanë qëndruar përballë vështirësive dhe sakrificave ndër vite. Ai gjithashtu u bën thirrje drejtuesve institucionalë të mos ndërmarrin masa ndaj punonjësve për shkak të përkatësisë së tyre familjare apo lidhjeve me veprimtarë të njohur dhe familje dëshmorësh.

“Sakrifica e tyre nuk ishte për t’ju bërë juve drejtorë, ministra e funksionarë, por për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve”, thekson Veliu.

Në fund të reagimit, ai shpreh bindjen se ata që, sipas tij, po keqpërdorin pozitat institucionale për të larguar punonjësit nga puna, nuk do t’i mbajnë gjatë këto pozita.

“Shumë shpejt, ‘kalemi’ do t’ju bjerë nga dora!”, përfundon reagimin Luan Veliu, duke e nënshkruar atë si kryefamiljar i familjes Veliu nga Sërmnova.

Ja postimi plotë:

U vramë, që të vinit në pushtet ju, vasalë të përbetuar, specialistë për t’i larguar shqiptarët nga puna!

Ky, është patriotizmi i juaj!!

Kanë provuar dhe kanë vepruar forcat e errëta të ish-Jugosllavisë e, pak më vonë, edhe të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Por ne qëndruam! Nuk u dorëzuam dhe as u gjunjëzuam.

Ne qëndruam kur na burgosën, kur na vranë, kur na kidnapuan, kur na kërcnuan…

Kur na burgosën, ne u betuam. Kur na vranë, ne u bashkuam. Kur na kidnapuan, ne u uniformuam. Dhe fituam!
Nuk u dorëzuam!
Prandaj, ju nuk mund të na shantazhoni. Çfarëdo takati që mendoni se keni, ne e përballojmë lehtë, sepse jemi asht i fortë, i kalitur në përballje e sakrifica.

Nuk e dimë edhe sa kohë do ta keni në duart tuaja kalemin për të nënshkruar largime nga puna në institucionin që drejtoni. Por ju sugjerojmë të mos e përdorni atë kundër atyre që i konsideroni si pika të kuqe, bijve dhe bijave të familjeve të veprimtarëve të njohur, e as familjeve të dëshmorëve të luftës për liri.

Mos harroni se sakrifica e tyre nuk ishte për t’ju bërë juve drejtorë, ministra e funksionarë, por për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve.
Shumë shpejt, “kalemi” do t’ju bjerë nga dora!

Po gaboni rëndë nëse mendoni se mund të na nënshtroni. Ne nuk dorëzohemi, sepse vijmë nga radhët e bijve dhe bijave të Betimit të Madh!

Luan Veliu
Kryefamiljar në familjen Veliu
Sërmnovë, 25.10.2026

Banner

Related posts

Aksidenti te “Rruga e Plastikave”, MPB: Një 19-vjeçar humbi jetën, shoferi i veturës “Audi” është arrestuar

Gjyla Halili

Taravari, Osmanit: A i keni vendosur ndonjë herë kushte Nikolla Gruevskit për BE-në?!

Gjyla Halili

Zelensky niset drejt Arabisë Saudite për të diskutuar me SHBA-në për paqe

Gjyla Halili