Në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Lotaria”, dëshmoi dëshmitari i parë i Prokurorisë, Vlado Petkovski, i cili është drejtor i Sektorit për lojëra të fatit në “Lotarinë Shtetërore”. Mirëpo, nga dëshmia e tij mund të paralajmërohet një kthesë në procesin gjyqësor ndaj Artan Grubit dhe Përparim Bajramit, pasi, ndonëse si dëshmitar i Prokurorisë pritej të mbështeste teorinë e saj, ai dëshmoi në favor të të akuzuarve.
Petkovski, me profesion inxhinier elektrik, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve, fillimisht tha se në “Lotarinë Shtetërore” ishte punësuar në fund të vitit 2017 dhe se që atëherë deri më sot kishte ndërruar disa pozita drejtuese.
Dëshmitarit iu kërkua të bënte një krahasim mes periudhës së dy drejtorëve të përgjithshëm, përkatësisht drejtimit të Katica Nikollovskës dhe atij të pasardhësit të saj, Përparim Bajrami. “Paralele dhe dallime mund të bëj vetëm sa i përket zhvillimit të portofolit të Lotarisë Shtetërore. Në kohën e Katicës pothuajse nuk kishte fare projekte të reja, ndërsa pasi erdhi Bajrami, ai u angazhua në mënyrë proaktive për zbatimin e projekteve të reja, me qëllim rritjen e fitimit të Lotarisë Shtetërore”, tha dëshmitari.
Më pas ai renditi projektet. “Ideja për formimin e një shoqërie të re, sipas shembullit të shoqërisë tashmë ekzistuese ‘Lotaria Shtetërore Video’, ku Lotaria Shtetërore është bashkëpronare me ‘Austria Casino’. Bëhet fjalë për shoqërinë ‘Novo VLT’, e cila funksionoi për dy vjet. Projekti tjetër ishte ‘Megawin.mk’, platformë interneti në pronësi të ‘Lotarisë Shtetërore’. Më pas nisi organizimi i pavarur i lojërave elektronike të fatit, ndërsa pati edhe formim të tri shoqërive të internetit, sipas së njëjtës praktikë, përmes investimit të përbashkët të ‘Lotarisë Shtetërore’ me partner privat”, renditi dëshmitari.
Për projektin e organizimit të lojërave elektronike të fatit, ai u pyet se cili kishte qenë qëndrimi i ish-drejtoreshës Katica Nikollovska.
“Nuk mund të pohoj pse Katica nuk e kishte bërë këtë, sepse ajo nuk realizoi asnjë projekt. Me shumë gjasë nuk ka dashur të hyjë në projekte”, tha dëshmitari. Megjithatë, Prokuroria këmbënguli për përgjigje dhe e pyeti nëse kishte dijeni për arsyet pse Katica nuk kishte dashur të përfshihej në projekte të tilla. Gjykatësja nuk lejoi që pyetja të parashtrohej, pas kundërshtimit të mbrojtjes se e njëjta pyetje ishte bërë një herë më parë.
I pyetur nëse mund të sqaronte funksionimin e shoqërisë së re “Novo VLT”, përkatësisht pse kishte funksionuar vetëm dy vjet, dëshmitari tha se ajo ishte paraparë të funksiononte për organizimin e lojërave elektronike të fatit, por, sipas tij, interpretimi autentik i Ligjit për lojërat e fatit nuk e lejoi këtë shoqëri të punonte, përkatësisht t’i vinte në përdorim terminalet VLT. I pyetur se çfarë dinte për furnizimin e terminaleve VLT të blera në vitin 2023, dëshmitari tha: “Unë personalisht kam marrë pjesë në procedurën për furnizimin e terminaleve. Kam qenë pjesë e komisionit teknik për përgatitjen e prokurimit publik dhe realizimin e projektit. Ideja ishte që të bliheshin terminalet elektronike me të cilat Lotaria Shtetërore do të organizonte në mënyrë të pavarur lojëra të fatit dhe i gjithë fitimi t’i mbetej Lotarisë, e jo të ndahej me partnerët privatë. U siguruan dokumente, mendime nga profesorë, studime fizibiliteti, hulumtime të tregut, mendime nga institucionet qeveritare, madje edhe nga vetë Qeveria. U mblodhën këto dokumente mbështetëse dhe relevante dhe, megjithëse tashmë ishte formuar ‘Novo VLT’, konsideroja se nuk duhej të ishte kontestuese, pasi unë kisha marrë pjesë në të gjitha furnizimet. U miratua plan financiar për blerjen e këtyre aparateve. Pasi plani financiar hyri në planin e prokurimeve publike, u realizua furnizimi, aparatet mbërritën, u vendosën te partnerët afaristë dhe duhej të merreshin kushtet tekniko-teknologjike, për të cilat DAP-i dha mendim pozitiv. Mirëpo, nuk mbërriti pëlqimi nga Ministria e Financave, pasi u miratua ai interpretim autentik i ligjit, pas të cilit të gjitha proceset u bllokuan”.
Ai sqaroi se qëllimi kishte qenë që, meqë ligji ua lejonte edhe atyre organizimin e lojërave elektronike të fatit, ta bënin vetë këtë.
“Pse të mos e bëjmë këtë dhe i gjithë fitimi t’i mbetet Lotarisë Shtetërore dhe të mos ndahet me partnerë privatë? Ideja diskutohej në kolegjiumet që i drejtonte drejtori Përparim Bajrami, por pas saj nuk qëndronte vetëm një person”, tha dëshmitari.
PËR RAPORTET BAJRAMI-GRUBI
I pyetur për raportet e Përparim Bajramit me Artan Grubin, dëshmitari tha se kishte punuar me Bajramin, por jo me Grubin. “Nuk mund të pohoj, nuk kam ndonjë situatë të drejtpërdrejtë mbi bazën e së cilës mund të them se ata të dy janë miq”, tha dëshmitari. I pyetur nëse Bajrami e kishte përmendur Grubin, dëshmitari sqaroi se aksionare e “Lotarisë Shtetërore” është Qeveria dhe, për këtë arsye, Qeveria ka rol në funksionimin e saj.
“Çdo drejtor shkon shpesh në Qeveri. Ndoshta e ka përmendur, por nuk e ka përmendur në lidhje me punën e Lotarisë”, tha dëshmitari. Prokurori më pas e pyeti se në çfarë konteksti e kishte përmendur Grubin. Ndaj kësaj reagoi avokati i Grubit, Goce Ristoski, i cili kërkoi që të mos lejohej që salla e gjyqit të shndërrohej në cirk, pasi, sipas tij, kjo pyetje ishte e parëndësishme.
PROKURORIA E SHPALLI “DËSHMITAR ARMIQËSOR”
Meqë dëshmitari, sipas Prokurorisë, po jepte përgjigje në favor të mbrojtjes së të akuzuarve, edhe pse ishte propozuar si dëshmitar nga vetë Prokuroria, prokurorët kërkuan që t’u lejohej ta merrnin në pyetje në mënyrë të kryqëzuar, pasi e shpallën “dëshmitar armiqësor”. Sipas tekstit, kjo nënkupton se dëshmitari e ka ndryshuar deklaratën e tij, përkatësisht se gjatë hetimit kishte dhënë një version në favor të Prokurorisë, ndërsa tani po dëshmonte në mënyrë krejtësisht të kundërt, në favor të të akuzuarve.
Përveç Grubit dhe ish-drejtorit të “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami, i cili po gjykohet në mungesë, në këtë rast të akuzuar janë edhe Metodija Dimevski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu. Aktakuza, e përfaqësuar nga prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ka të bëjë me veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë tejkaluar kompetencat zyrtare dhe i kanë shkaktuar “Lotarisë Shtetërore” dëm në vlerë prej 9,7 milionë eurosh.
Në këtë rast, gjatë hetimit, vepra fillestare “Përvetësim”, për të cilën ndiqeshin të akuzuarit dhe për të cilën parashikohen dënime të larta me burg, u rikualifikua në “Keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”, pasi hetimi nuk kishte siguruar prova të mjaftueshme për përvetësim. Për këtë vepër parashikohet dënim prej një deri në pesë vjet burg. Gjykimi është në vazhdim. (fokus.mk)
