AKTUALE

Agim Nuhiu në konferencën evropiane: Përfaqësimi dhe gjuha shqipe, çështje që kërkojnë zbatim konkret

Në Konferencën për Planet e Veprimit për Minoritetet Kombëtare në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të organizuar nga Qendra Evropiane për Çështjet e Minoriteteve (ECMI), Dr. Prof. Agim Nuhiu mori pjesë si panelist, ku trajtoi çështje që lidhen me përfaqësimin e komuniteteve dhe zbatimin praktik të të drejtave gjuhësore.

Gjatë diskutimit, Nuhiu ngriti në veçanti çështjen e përfaqësimit të shqiptarëve në policinë shtetërore. Sipas të dhënave të prezantuara prej tij, përfaqësimi i shqiptarëve në polici është rritur nga rreth 4 për qind para vitit 2001, në rreth 16 për qind në vitin 2004 dhe më pas në afërsisht 23 për qind.

Këtë zhvillim ai e cilësoi si një nga rezultatet e rëndësishme të reformave të ndërmarra pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Megjithatë, sipas Nuhiut, sfida aktuale është ruajtja e këtij niveli të përfaqësimit. Pensionimi i gjeneratës së punësuar pas vitit 2001 dhe nevoja për rekrutimin e gjeneratave të reja kërkojnë, siç theksoi ai, një plan të qartë dhe afatgjatë, në mënyrë që të mos krijohet boshllëk në përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e sigurisë.

Në panel u diskutua gjithashtu edhe përdorimi praktik i gjuhës shqipe. Nuhiu ngriti shqetësimin për vonesat në ratifikimin e Kartës Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Minoriteteve dhe theksoi nevojën për një përcaktim të qartë të statusit juridik të gjuhës shqipe dhe zbatimin e tij në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Ai vuri theksin veçanërisht te zbatimi praktik i të drejtave gjuhësore në administratën publike, gjykata, dokumentet zyrtare dhe shërbimet për qytetarët.

Sipas Nuhiut, për të vlerësuar nëse këto të drejta zbatohen realisht, nevojitet monitorim konkret i përdorimit të gjuhës shqipe: sa procedura zhvillohen në gjuhën shqipe, nëse qytetarët kanë qasje në dokumente në gjuhën shqipe dhe nëse përkthimi dhe shërbimet në këtë gjuhë janë të disponueshme dhe funksionale.

Pjesëmarrja e Dr. Prof. Agim Nuhiut në këtë konferencë u fokusua kështu në dy çështje të rëndësishme për procesin e integrimit evropian: përfaqësimin e drejtë dhe të qëndrueshëm të komuniteteve në institucionet publike dhe zbatimin efektiv të të drejtave gjuhësore në praktikë.

Ja postimi plotë:

Në Konferencën për Planet e Veprimit për Minoritetet Kombëtare në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, të organizuar nga Qendra Evropiane për Çështjet e Minoriteteve (ECMI), me një qasje krahasuese dhe analitike, pata nderin dhe përgjegjësinë të jem panelist.
Në këtë takim, në mënyrë të veçantë ngrita shqetësimin për përfaqësimin e shqiptarëve në policinë shtetërore. Përfaqësimi i shqiptarëve në polici u rrit nga rreth 4% para vitit 2001, në afërsisht 16% në vitin 2004 dhe më pas në rreth 23% — një nga rezultatet më domethënëse të reformave të ndërmarra pas Marrëveshjes së Ohrit.
Megjithatë, sfida sot është ruajtja e këtij niveli të përfaqësimit. Pensionimi i gjeneratës së punësuar pas vitit 2001, së bashku me nevojën për të rekrutuar gjeneratat e reja, kërkon një plan të qartë. Përndryshe, rrezikojmë të krijohet një boshllëk në përfaqësim.
Gjithashtu, ngrita shqetësime lidhur me përdorimin praktik të gjuhës shqipe dhe vonesat në ratifikimin e Kartës Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Minoriteteve. Theksova nevojën për një përcaktim të qartë ligjor sa i përket statusit të gjuhës shqipe, i cili duhet të zbatohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
Përtej kësaj, duhet të shohim se si gjuha shqipe përdoret realisht në praktikë — në administratën publike, gjykata, dokumentet zyrtare dhe shërbimet për qytetarët. Kjo nënkupton monitorimin e treguesve konkretë, si numri i procedurave që zhvillohen në gjuhën shqipe, mundësia e qytetarëve për të pasur qasje në dokumente në gjuhën shqipe, si dhe nëse përkthimi dhe shërbimet në gjuhën shqipe janë vërtet të disponueshme.

Banner

Related posts

Shkarkohen ministrat e ASH-së, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu

Gjyla Halili

Ahmeti për gjykimin në Hagë: Padrejtësi ndaj UÇK-së, nisi me akuza të pabaza

Gjyla Halili

Bajram Rexhepi: Po plaçkitet Tetova, prona publike po shitet natën

Gjyla Halili