Shoqata Atdhetare “Kosova” u është drejtuar komunitetit shqiptar në Michigan me një thirrje për më shumë respekt, tolerancë dhe mirëkuptim, në një kohë kur përplasjet politike dhe reagimet ndaj zhvillimeve të fundit kanë shkaktuar ndasi brenda komunitetit.
Në deklaratën e saj, shoqata shpreh shqetësimin për rritjen e gjuhës së ashpër, ofendimeve dhe përçarjeve politike, duke theksuar se dallimet në bindjet politike nuk duhet të kthehen në armiqësi mes shqiptarëve.
“Nuk duhet të lejojmë që dallimet politike të na bëjnë armiq mes vete”, thuhet në deklaratë.
Shoqata thekson se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë të drejtë të shprehin qëndrimet e tyre, të lobojnë dhe të protestojnë në përputhje me bindjet e tyre, ndërsa zgjidhja e çështjeve politike në Shqipëri, sipas saj, duhet të vijë përmes demokracisë dhe vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë.
Një pjesë e deklaratës i kushtohet vizitës së fundit të Kryeministrit Edi Rama, e cila, sipas shoqatës, ka sjellë reagime të ndryshme në komunitetin shqiptar në Michigan.
Shoqata u bën thirrje si atyre që protestuan, ashtu edhe atyre që morën pjesë në pritjen e Kryeministrit, që të respektojnë qëndrimet e njëri-tjetrit.
“Ata që protestuan kanë të drejtë të protestojnë në bazë të parimeve dhe bindjeve të tyre. Po ashtu, ata që vendosën ta mikpresin kanë të drejtë ta bëjnë këtë, ashtu siç e kërkon zakoni dhe tradita shqiptare”, thuhet në deklaratë.
Në këtë kontekst, shoqata sjell në vëmendje edhe historinë e Abdulla Drenit dhe Mehmet Ali Pashës, si shembull të traditës shqiptare të mikpritjes.
Thirrje për të mos e vendosur politikën mbi identitetin kombëtar
Shoqata Atdhetare “Kosova” shpreh gjithashtu shqetësimin për përçarjet politike brenda komunitetit shqiptar në Michigan, duke iu referuar edhe zgjedhjeve të fundit dhe pjesëmarrjes së kandidatëve me origjinë shqiptare.
Sipas shoqatës, situata duhet të shërbejë si moment reflektimi mbi marrëdhëniet brenda komunitetit dhe mbi mënyrën se si dallimet politike ndikojnë në bashkëpunimin mes shqiptarëve.
“Nëse nuk mund ta ndihmosh një shqiptar, të paktën mos i dëshiro të keqen vetëm sepse ai ka bindje të ndryshme politike”, apelon shoqata.
Në deklaratë theksohet se në Shtetet e Bashkuara respektohet e drejta për bindje të ndryshme politike dhe se shqiptarët mund të kenë qëndrime nga më të ndryshmet, por këto dallime, sipas shoqatës, nuk duhet të dëmtojnë marrëdhëniet mes tyre.
“Kombi mbetet, flamuri mbetet, gjuha mbetet”
Në pjesën përmbyllëse, Shoqata Atdhetare “Kosova” e lidh thirrjen për unitet me ruajtjen e identitetit, historisë dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare.
Ajo kërkon respekt për flamurin kuq e zi, historinë dhe sakrificat e shqiptarëve, si dhe për simbolet që lidhen me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Dallimet politike janë të përkohshme. Pushtetet ndryshojnë. Partitë vijnë e shkojnë. Por kombi mbetet. Flamuri mbetet. Gjuha mbetet. Historia mbetet”, thuhet në deklaratë.
Në fund, shoqata fton grupet shqiptare, shoqatat, organizatat dhe institucionet fetare në Michigan që t’i bashkohen thirrjes për respekt, tolerancë dhe mirëkuptim.
“Jemi shqiptarë. Jemi një. Dhe vetëm të bashkuar mund ta ruajmë dinjitetin, kulturën, historinë dhe të ardhmen tonë”, përfundon deklarata e Shoqatës Atdhetare “Kosova” në Michigan.
