AKTUALE

Zbardhet agjenda e vizitës dy ditore/ Spiropali do takojë Siljanovskën, Mickoskin, Ahmetin, Gashi, Mexhitin, e Fetain

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, do të zhvillojë vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut në dy ditët e ardhshme, 22 dhe 23 dhjetor.

Spiropali do të pritet në Shkup nga Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, Kryeministri Hristijan Mickoski, kryetari i Parlamentit Afrim Gashi dhe ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski.

Ditën e hënë në orën 11.30, Spiropali dhe Mucunski do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Gjatë vizitës zyrtare, Spiropali do të theksojë rëndësinë e avancimit të mëtejshëm të lidhjeve dypalëshe e rajonale.

Spiropali do të zhvillojë një darkë pune me zëvendëskryeministrin për Mirëqeverisje dhe Antikorrupsionin, Arben Fetai dhe ministrin e Integrimit në detyrë, Orhan Murtezani.

Spiropali do të rikonfirmojë mbështetjen e fortë për integrimin europian të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se zgjerimi i BE-së mbetet një instrument strategjik për paqe, stabilitet dhe qëndrueshmëri demokratike në Europën Juglindore.

Në fokus të takimeve do të jetë edhe projekti i Korridorit VIII si një projekt strategjik energjetik dhe i sigurisë, që lidh Mesdheun me Detin e Zi.

Ministrja do të takohet në Tetovë me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Ajo do të zhvillojë gjithashtu një takim edhe me kryetarët e koalicionit qeveritar VLEN, Izet Mexhiti, Bilal Kasami dhe Bekim Sali.

Spiropali do të takohet me kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit Musa Xhaferri, me zonjat deputete nga të gjitha partitë politike shqiptare dhe me përfaqësues shqiptarë të pushtetit lokal.

Ministrja do të vlerësojë rolin vendimtar të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut në ruajtjen e stabilitetit dhe avancimin e proceseve euroatlantike, si dhe rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit si themel i harmonisë shumëetnike dhe kohezionit social.

Spiropali do të zhvillojë një vizitë në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup.

Vizita do të përmbyllet me një bashkëbisedim në Universitetin e Tetovës.

Banner

Related posts

“VLEN NJË”: 9 maji shënon unifikimin e pesë subjekteve në një forcë të vetme politike

Gjyla Halili

Fronti Evropian kërkon sanksione për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë

Gjyla Halili

Akuzat e forta të Azgan Haklajt: Rama dhe Berisha bashkë për interesat e kullave, SPAK-u ka mbështetjen e qytetarëve dhe është i vetmi që mund ta shkatërrojë këtë aleancë

Gjyla Halili