Këshilltarja në Komunën e Kërçovës, avokatja Syarta Saliju Osmani, ka reaguar lidhur me dokumentin zyrtar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në të cilin emri i qytetit të Kërçovës është shkruar në formën “Kichevo”, në vend të emërtimit në gjuhën shqipe – Kërçovë.
Në reagimin e saj, Osmani shpreh pakënaqësi për këtë rast, duke ngritur njëkohësisht pyetjen se ku është reagimi i SHMK “Drita”, i përfaqësuesve të Kërçovës në Kuvend dhe i kryetarit shqiptar të Kuvendit.
Ajo thekson se shkolla “Drita” meriton respekt, ashtu siç duhet të respektohet edhe identiteti gjuhësor i qytetit që përfaqëson. Sipas saj, shkolla duhet të kërkojë zyrtarisht korrigjimin e emërtimit dhe raste të tilla nuk duhet të kalohen në heshtje.
“Respektimi i gjuhës shqipe nuk është privilegj, por e drejtë. Nëse nuk kërkojmë respekt për emrin e qytetit tonë në institucionet shtetërore, atëherë kush do ta bëjë këtë për ne?”, shprehet Syarta Saliju Osmani në reagimin e saj.
Ajo e përmbyll reagimin me mesazhin: “Kërçova është Kërçovë dhe kështu duhet të shkruhet!”/Tv Gurra

